Vizita e Daçiqit në Kosovë, Thaçi: raportet me Serbinë po normalizohen
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si nder të veçantë pritjen e sotme në Prishtinë të ministrave të rajonit...

Në këtë mënyrë, Thaçi e vlerëson edhe vizitën e ministrit serb, Ivica Daçiq, vizitë kjo që, sipas tij, i kontribuon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
“Për mua sot ka qenë kënaqësi e veçantë, por është nder edhe për Kosovën që kemi pritur edhe ministrat e të gjitha rajoneve, por edhe pjesëmarrjen e Daçiqit në Republikën e Kosovës. Ne kemi kaluar kohë të gjatë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Edhe pjesëmarrja sot e Daçiqit është një shtesë për implementimin e marrëveshjeve dhe është një mesazh shtesë për stabilizimin e marrëdhënieve tona”- tha Thaçi gjatë konferencës për media.
Ai tha se edhe bisedimet në Bruksel janë në këtë frymë për t’i kontribuar normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
Gjithashtu, ministri Thaçi tha se tani më nuk mjaftojnë vetëm marrëveshjet politike, por duhet që në rajon të ndodhin investimet ekonomike, në mënyrë që, sipas Thaçit, njerëzit të investojnë për të ardhmen.
“Tani më vizitat e tilla nuk kanë ndonjë karakter historik, por janë normale. Ky është një mesazh që raportet tona po normalizohen”- tha Thaçi.
