Maqedoni

Zgjidhen gratë menaxhere të vitit, asnjë menaxhere shqiptare; organizatorët: s’ka interesim

25.03.2015 15:48

Agjencia “Marili” përzgjedh 10 gratë më të suksesshme menaxhere të vitit. Në këtë përzgjedhje mungojnë gratë menaxhere shqiptare...

Drejtoresha e kësaj agjencie, Lidija Tripunoska, thotë se arsyeja për mospjesëmarrjen e tyre është interesimi i ulët i menaxhereve shqiptare për t’u kyçur në këtë eveniment.
 
“Unë nuk arrij çdo herë që t’i kontaktoj ato, janë paksa të mbyllura ato kompani. Ne gjithmonë kërkojmë. Ndonjëherë janë në diskonim, ndonjëherë nuk janë. Do të duhet që për këtë çështje të flitet edhe nëpër media, që gratë më shumë të kyçen në ngjarjet e tilla. Por, do të theksoj se ka shumë gra të suksesshme shqiptare në bizneset familjare, e sidomos nga gjeneratat më të reja”- deklaroi drejtoresha e agjencisë, Marili Lidija Tripunoska.
 
Tripunoska, thotë se brenda 19 viteve, aq sa realizohet kjo ngjarje, janë përzgjedhur edhe gra të dëshmuara shqiptare në menaxhim.
 
Në 2004-ën, mirënjohje si menaxhere e suksesshme e vitit në lëmin e marketingut mori Lindijana Grazhdani.
 
Ajo thotë se gratë shqiptare e kanë dëshmuar veten në këtë profesion, por nevojitet vetëm promovimi i tyre.
 
“I ftoj të gjitha gratë shqiptare, të cilat kanë një aftësi dhe menaxhojnë punë dhe e dimë se ato janë të shumta, të marrin pjesë në këto aktivitete, sepse kjo është forma e vetme me të cilat ato do të mund ta promovojnë veten”- tha menaxherja e marketingut, Lindijana Grazhdani.
 
Statistikat flasin se në Maqedoni vetëm 4% e grave janë biznesmene, ndërsa 30% janë në pozicione menaxhuese.
 
Ngjashëm është edhe në vendet skandinave, ku numri i grave menaxhere është i ulët në krahasim me profesionet tjera.
 
MERAL ISMAILI