Maqedoni

Emërtimi i ambasadorëve, Hani:problem i trashëguar dhe i politizuar

25.03.2015 15:56

Stërzgjatja e procedurave për emërtimin e ambasadorëve shqiptarë nëpër përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë vjen si pasojë e një problemi të politizuar...

Stërzgjatja e procedurave për emërtimin e ambasadorëve shqiptarë nëpër përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë vjen si pasojë e një problemi të politizuar, vlerëson analisti, Albert Hani.
 
Sipas tij, partitë politike duhet të çlirohen nga kjo barrë e politizimit të çështjes dhe të hapin mundësinë që diplomatët e nominuar të mund të fillojnë detyrën e tyre.
 
Ai konsideron se arsyetimet e ndryshme nuk janë në dobi të zgjidhjes së çështjes, madje mund të konsiderohen edhe si fyerje për kuadrot shqiptare.
 
“Për fat të keq është një problem i trashëguar, është problem i politizuar, është problem shumë i rëndë i shqiptarëve, që në fakt nënkupton edhe fyerje të inteligjencës shqiptare, meqenëse ne kemi pasur kohë të zhvillojmë kuadro, të zhvillojmë shkathtësi dhe aftësi te diplomatët e ri. Unë besoj dhe jam i bindur se diplomatët e rinj, të cilët janë propozuar, kanë aftësi dhe shkathtësi dhe thjesht duhet të mos politizohet ky proces, por të nisin me punë në shtetet që janë nominuar”- deklaroi analisti, Albert Hani.
 
Në presidencë nuk thonë se procesi i emërtimit të ambasadorëve po has në ndonjë problem të caktuar.
 
Në pyetjen e TVM-2 lidhur me procedurat për emërtimin e ambasadorëve në vendet e zbrazëta, presidenca tha se konsultimet me Ministrinë e Punëve të Jashtme vijojnë ende.
 
“Sipas normave të parashikuara me ligj, procedura e emërtimit të ambasadorëve të rinj të Republikës së Maqedonisë është në fazën e konsultimeve mes presidentit të Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme”- thuhet në përgjigjen e presidencës.
 
Sido që të jetë, analisti, Albert Hani, vlerëson se Maqedonisë aspak nuk i duhet stërzgjatja e emërtimit të ambasadorëve, sidomos kur vendi po përballet me një situatë të brishtë politike. 
 
“Në përgjithësi kjo i ngarkon edhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, meqenëse kuadrot të cilat ne do t’i propozojmë nëpër shtetet e jashtme, sigurisht që reflektojnë edhe diversitetin e këtij shteti. Ata diplomatë thjesht mund të japin një mesazh pozitiv se shqiptarët, jo vetëm që janë të interesuar për poste, por janë të interesuar për t’u zgjidhur problemet e këtij shteti sa më shpejt”- tha analisti, Albert Hani.
 
BDI ka propozuar disa ambasadorë, të cilët kanë kaluar procedurat në qeveri. Ekrem Ebibi, ambasadori i propozuar për në Bernë, ka bërë edhe prezantimin e ekspozesë së tij në kuvend.
 
Sipas propozimeve të BDI-së, në Gjenevë pritet të delegohet Teuta Demjaha, ndërsa në Katar, Sali Limani.
 
Shtrohet pyetja se vallë zvarritja e emërimit të ambasadorëve ndërlidhet me çështjen e kontestimit të legjitimitetit të presidentit të shtetit nga Bashkimi Demokratik për Integrim?
 
NAIM RAMADANI