Botë

Donacione për Spitalin e Tetovës, Mexhiti: Ashensorët do të vihen në funksion

25.12.2023 14:09

Paratë janë ndarë para tetë muajve për ashensorët në Spitalin e Tetovës...

Paratë janë ndarë para tetë muajve për ashensorët në Spitalin e Tetovës, por proceduarat burokratike ndalojnë që ato të vendosen në funksion, tha ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, edhe përkundër pengesave që bëjnë komisionet dhe zvarritjet në punë, Spitali i Tetovës do të furnizohet me ashensorët e premtuar.
 
“Janë në proces e sipër ashensorët, patjetër se do të bëhen, por ajo që unë nuk mund t’ju siguroj saktë, sepse nuk varet prej meje. Ka një komision që janë në prokurime, komision i shkallës së dytë dhe ato rregullisht kanë bërë probleme dhe unë këtë e kam hapur edhe në publik. Ato mund të anulojnë një herë, dy herë, unë jam këtu për të qenë gjithmonë rezistencë dhe do t’ia dalë dhe ashensorët do të jenë realitet. Mjetet financiare jo tash, por para tetë muajve janë ndarë për ashensorët, por nuk varet prej meje. Patjetër që të respektohet ligji, ashensorët janë realitet dhe do të jenë realitet në të ardhmen.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. 
 
Ndërkohë drejtori organizativ në Spitalin e Tetovës, Blerim Osmani, tha se falë donatorëve, kushtet në këtë spital kanë ndryshuar.
 
“Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj edhe donatorët e më hershëm, që kanë kontribuar që reparti i gjinekologjisë të ketë këtë formë dhe hije të bukur.”, - theksoi drejtori organizativ i SKT-së, Blerim Osmani. 
 
Këto komente ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe drejtori organizativ në Spitalin e Tetovës i bënë gjatë pranimit të donacionit nga Birraria Shkupi.
 
VISAR SADIKI