Botë
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë: Nuk po stërvisim grupe për sulm në Kosovë
25.12.2023 14:44
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka mohuar akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti...

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka mohuar akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në disa poligone ushtarake po stërviten pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
“Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thonë nga Ministria serbe e Mbrojtjes. Nga kjo ministri, njëherit mohojnë se ka plane për sulme në territorin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë deklaroi se Millan Radoiçiq dhe grupi i tij, po përgatiten të kryejnë sulme të reja ndaj Kosovës. Kryeministri i Kosovës pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension. Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
GYLTENE SINANI
