Maqedoni
Lëvizja “Besa” akuzon BDI-në: Hidhen gurthemele për ndërtimin e kryqeve
25.12.2023 15:00
Lëvizja “Besa” akuzon BDI-në se po hedh fshehurazi gurthemel për vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit.....

Lëvizja “Besa” akuzon BDI-në se po hedh fshehurazi gurthemel për vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit. Siç thonë ata, pushteti dhe BDI-ja nuk bëjnë krime vetëm duke zhvatur popullin, por edhe duke luajtur me ndjenjat etnike e fetare të qytetarëve. BDI-ja, sipas tyre heshti edhe dje gjatë vendosjes së kryqit gjigant në Kumanovë, sepse nuk është Billall Kasami t’i fajësojë për këto veprime, por kanë kryetar komune me to ndërtojnë politika të përbashkëta.
“I bëjmë apel BDI-së, kryetarit dhe ministrave të saj, që të mos hedh gurin dhe të fshehë dorën, por lirisht mund të shkojë dhe të hedhë gurthemele në çdo kryq që po ndërtohet, sepse të gjithë këtyre akrobacioneve të këtij pushteti, së shpejti do t’i vijë fundi, pasi qytetarët mezi presin që t’i dënojnë me votë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.”, - deklaroi zëdhënësja e Lëvizjes “Besa”, Lulzime Ameti.
BDI-ja demanton akuzat e Lëvizjes “Besa”: Mafia urbane manipulon me ndjenjat fetare
Por dega e BDI-së në Tetovë reagojnë duke thënë se në mungesë të punës dhe vizionit, mafia urbane që udhëheq me komunën e Tetovës në mënyrë dëshpëruese tenton të manipulojë me ndjenjat fetare të qytetarëve të Tetovës.
”Ju bëjmë thirrje këtyre dy partive që udhëheqin me komunën e Tetovës, të zgjidhin çështjet për të cilat kanë nevojë qytetarët dhe të mos bëjnë lojëra të ulëta për të ngritur tensione artificiale për ndonjë përfitim politik.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Sipas integristëve, qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë skenar dhe nuk do të bëhen pre e këtyre agjendave të dyshimta.
FLUTURA LATIFI
