Maqedoni
Mbrojtje dhe siguri, Armata raportoi para presidentit Pendarovski
25.12.2023 16:40
Gatishmëria luftarake e Armatës është në nivelin e nevojshëm që mundëson kryerjen me sukses...

Gatishmëria luftarake e Armatës është në nivelin e nevojshëm që mundëson kryerjen me sukses të detyrave dhe se në vitin aktual të gjitha detyrat e parapara janë realizuar me sukses, raportoi gjenerali, Gjurçinovski, para presidentit të vendit, Stevo Pendarovski. Sipas këtij të fundit, komandat dhe njësitë e Ushtrisë i realizuan me shpejtësi dhe me profesionalizëm të gjitha aktivitetet e planifikuara në kryerjen e stërvitjes sipas standardeve të NATO-s, si dhe se procesi i transformimit dhe modernizimit dhe pjesëmarrjes në operacione jashtë vendit kryhen me dinamikën e planifikuar. Nga ana tjetër, nga zyra e presidentit përmes një komunikate për mediat informuan se presidenti, Pendarovski, është zotuar se mbetet i përkushtuar ndaj Armatës dhe ndarjen e dy për qind të BPV-së për mbrojtje.
“Presidenti Pendarovski rikonfirmoi përkushtimin e tij për ngritjen dhe ruajtjen e mëtutjeshme të standardeve dhe kushteve cilësore për punë dhe shërbim të të gjithë pjesëtarëve të Armatës dhe për arritjen e qëllimit të caktuar, ndarjen e dy për qind të BPV-së për mbrojtje.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, tha se në vitin 2024 do të vazhdojë investimi i qëndrueshëm në mbrojtje dhe ushtri.
“Vitin e ardhshëm, Maqedonia me 2% të BPV-së të ndarë për mbrojtje dhe një të tretën e këtyre mjeteve për modernizim, do t’i përmbushë dy kriteret që u miratuan bashkërisht në Samitin e NATO-s në Vilnius. Ne morëm vlerësime jashtëzakonisht pozitive për pjesëmarrjen tonë në misionet paqeruajtëse dhe në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani, që është konfirmim i kontributit tonë në sigurinë rajonale dhe kolektive.”, - theksoi Petrovska.
Gjatë vitit 2023, ushtria me rreth 700 pjesëtarë të saj, ka marrë pjesë në disa ushtrime ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Sipas planit të modernizimit dhe pajisjes së ushtrisë kanë hyrë edhe 32 autoblinda të lehta dhe prokurimi i të gjitha mjeteve dhe pajisjeve të tjera po bëhet sipas dinamikës së planifikuar, thuhet në njoftimin e Armatës.
FITIM KRYEZIU
