Maqedoni

Stolisja e Qytetit të Shkupit, Policia Financiare në veprim

25.12.2023 17:02

Pas vërejtjeve dhe reagimeve në opinion për mënyrën e stolisjes së kryeqytetit për festat e fundvitit...

Pas vërejtjeve dhe reagimeve në opinion për mënyrën e stolisjes së kryeqytetit për festat e fundvitit dhe shumën e shpenzuar, u ngritën dyshimet se për këtë tender, Qyteti i Shkupit nuk ka shpallur thirrje publike.
 
Ky dokument nuk është i qasshëm as për qytetarët e as për mediat. Policia Financiare në teren do të konstatojë nëse është keqpërdorur ky proces.
 
Qyteti i Shkupit kishte dalë me informacion se dekorimi i sheshit të qytetit, rrugëve kryesore dhe pazarit të Vitit të Ri është financuar përmes një thirrjeje publike, e cila është publikuar në përputhje me aktet dhe rregulloret, si të gjitha thirrjet e tjera publike.
 
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, kishte njoftuar se dekorimi i kryeqytetit do të kushtojë 30 mijë euro, shumë më pak në krahasim me vitet tjera. Sipas Ligjit për furnizime publike për çdo projekt që kalon shumën mbi 1,000 euro është e obligueshme të shpallet thirrje publike.
 
Në tentim për të konstatuar se nëse dhe si është zhvilluar procedura e kontrollit nga ana e Policisë Financiare, nuk arritëm të marrim përgjigje pasi që kryetarja, Danella Arsovska, nuk ishte në dispozicion. Mirëpo, nuk kishte hezituar të publikojë në profilin e saj në Fejsbuk se është në pritje të rezultateve nga hetimi për bredhin.
 
Përgjigje nuk morëm as nga Policia Financiare. Duke u thirrur në deklaratën drejtorit të Policisë Financiare, Goran Ivanov, të dhënë për disa media, inspektimi në Qytetin e Shkupit mund të zgjasë edhe disa ditë.
 
"Një ekip me numër optimal të inspektorëve po hyn në Qytetin e Shkupit për ta kryer këtë obligim. Pika e nisjes janë deklaratat e kryetares se ka një lloj thirrjeje, por për çdo gjë tjetër do të presim të përfundojë inspektimi. E gjitha varet nga ajo se çfarë do të gjejnë hetuesit. Në këtë moment nuk mund të them asgjë më shumë se periudha parahetimore është sekret. Pikërisht, për shkak të kësaj, në këtë moment nuk mund të them nëse po veprojmë me urdhër të Prokurorisë apo me kallëzim, i cili mund të jetë anonim. Kur të përfundojë inspektimi do të japim edhe shpjegim për vërejtjet se inspektimin po e bëjmë me njoftim, sepse dihet që nga e premtja e kaluar.", ka deklaruar Ivanov.
 
FLORIJE KAMBERI