Botë

Izrael-Gazë, netët më vdekjeprurëse të luftës

25.12.2023 17:24

Dhjetëra njerëz të vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në një nga netët më vdekjeprurëse...

Dhjetëra njerëz të vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në një nga netët më vdekjeprurëse të luftës izraelito-palestineze. Të paktën 70 persona janë vrarë, nga sulmi në kampin e refugjatëve “Al-Maghazi” në qendër të rripit të Gazës. Sulmet filluan disa orë para mesnatës dhe vazhduan deri në ditën e Krishtlindjes të hënën.
 
“Ne të gjithë jemi një objektiv. Nuk ka vend të sigurt. Ne u shpërngulëm nga Gaza. Ata na thanë të dilnim dhe të shkonim në një vend të sigurt në qendër dhe në zonën qendrore pësuan shumë njerëz.”, - u shpreh qytetari i zhvendosur nga qyteti i Gazës.
 
Mbrojtja e Izraelit raporton se në këto luftime ka të vrarë nga personeli i ushtrisë dhe thotë se është afër kontrollit operacional të Gazës veriore, përpara se të lëvizë drejt objektivave në jug.
 
“Jemi në një luftë pa zgjedhje, të justifikuar, korrekte dhe etike. Drejtësia mbizotëron mbi të gjithë. Ky moment është një provë. Ne nuk do të thyhemi, as nuk do të mbyllim sytë. Ne derdhëm një lot dhe vazhdojmë së bashku.”, - deklaroi presidenti i Izraelit, Isak Herzog. 
 
Nga ana tjetër, OBSh-ja paralajmëron për rrezikun e urisë në enklavën palestineze. Ata apeluan për një armëpushim të menjëhershëm, për shkak të numrit të madh të objekteve shëndetësore të shkatërruara.
 
"Janë raste kritike, mjekët dhe infermierët po luftojnë, njerëzit po qajnë, po vuajnë. Ky ekip nuk mund të bëjë pothuajse asgjë për të ndihmuar të gjithë këta njerëz. Është kaos absolut. Lëndimet e rënda dhe kritike po vijnë në 24 orë në ditë, ne kemi shumë pak staf këtu për t'i ndihmuar të gjithë.", - theksoi Shon Kejsi nga OBSh-ja.
 
Ushtria izraelite tha se ka kryer një sulm me avionë luftarakë në infrastrukturën e grupit libanez, Hezbollah, duke përfshirë komplekset ushtarake, infrastrukturën terroriste dhe operacionale. Ndërkohë u publikua plani i ri në tri faza i Egjiptit për armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit.
 
Në fazën e parë dhe të dytë, që do të zgjasin nga 7 deri në 10 ditë, parashikohet lirimi i pengjeve dhe ushtarëve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë. Në fazën e tretë, e cila do të zgjaste një muaj, të gjithë pengjet dhe një numër i të burgosurve palestinezë do të liroheshin dhe Izraeli do të tërhiqte trupat e tij nga enklava dhe do të ndalonte aktivitetet ajrore.
 
BELINDA KOKA ADEMI