Botë

Kosovë, konfiskohen bomba tymosëse dhe municion në veri

25.12.2023 17:46

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka konfiskuar një numër të “pajisjeve të rrezikshme”...

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka konfiskuar një numër të “pajisjeve të rrezikshme” në lagjen multietnike në Mitrovicën e Veriut, për të cilat tha se rrezikonin që potencialisht të përdoreshin për sulm ndaj zyrtarëve policorë.
 
Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ishte njoftuar për këto mjete nga qytetarë të asaj zone në orët e hershme të së hënës dhe më pas, kishin zhvilluar një operacion kontrolli.
 
“Aty [zyrtarët policorë] kanë gjetur: tela gjëmborë të improvizuar, bomba tymosëse, municion dhe një uniformë.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
 
Katër ditë më parë, Policia e Kosovës tha se kishte konfiskuar një sirenë alarmi me gjashtë zmadhues zëri në Mitrovicën e Veriut. Në veri të Kosovës - ku jetojnë rreth 50.000 serbë që nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytet të vetin - sirenat lëshohen kur strukturat paralele serbe duan të organizojnë ndonjë ngjarje.