Botë
Forumi ndërministror në Prishtinë, Hahn premton një miliard euro për Ballkanin
25.03.2015 16:43
Në Prishtinë u mbajt konferenca e ministrave të gjashtë shteteve të Ballkanit perëndimor, e cila konsiderohet një vazhdimësi e konferencës së Berlinit...

Samiti mblodhi ministrat e Jashtëm dhe të Transportit të shteteve të Ballkanit, si dhe komisionarin e BE-së për Politikë të Zgjerimit, Johannes Hahn.
Eurokomisari premton një miliard euro për projekte infrastrukturore dhe energjetike në Ballkan, mjafton që vendet të kenë projekte të përbashkëta.
“Duhet ta shohim edhe përkushtimin e juaj, duke krijuar mekanizma kredibil të financimit. Ta keni hapësirën fiskale për financimin e këtyre projekteve, që të zbatohen me kohë dhe të angazhohemi me ju që të implementojmë këto projekte. Agjenda e këtyre aktiviteteve është ngushtë e lidhur me programet qeverisëse ekonomike”- deklaroi komisionari për zgjerim i BE-SË, Johanes Hahn.
Vendet e Ballkanit perëndimor janë të gatshme të bashkëpunojnë që të rrisin investime rajonale në infrastrukturë, energjetikë, si dhe në fusha tjera të rëndësishme, potencoi me këtë rast zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Ideja është që rajoni të tërheq investime që integrojnë dhe lehtësojnë zhvillimin ekonomik, duke krijuar kushte për jetë më të mirë dhe prosperitete dhe dinjitet për të gjithë qytetarët e rajonit”- tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se e rëndësishme është që të gjitha vendet të shohin përpara dhe të shtyjnë përpara projektet e ndërlidhjes në infrastrukturë dhe në energji.
I pyetur se si mund të lidhet Kosova me vendet e rajonit kur qytetarët e saj janë të privuar nga lëvizja e lirë e qytetarëve të saj, ai ka theksuar se këto procese janë paralele, komplementare dhe jopërjashtuese. Instrumentet e këtij procesi janë në dispozicion të të gjitha vendeve, pavarësisht startit që kanë këto vende në raport me integrimin evropian”- ka thënë Bushati.
Për eurokomisarin Hahn padyshim që Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, por në pyetjen se kur do të liberalizohen vizat për Kosovën, ai tha se kjo varet nga plotësimi i kritereve.
Në fund të takimit, ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët dhe u dakorduan që takimi i radhës të mbahet në Ohër.
GYLTENE SINANI
