Maqedoni
KRRE: Ulet çmimi i energjisë për bllokun e parë, shtrenjtohet për bllokun e tretë dhe të katërt
26.12.2023 14:15
Nga një janari i vitit 2024, amvisëritë që i takojnë bllok tarifës së parë të shfrytëzuesve të energjisë...

Nga një janari i vitit 2024, amvisëritë që i takojnë bllok tarifës së parë të shfrytëzuesve të energjisë elektrike do të paguajnë fatura më të ulëta për mbi 5%. Rritje nuk do të ketë edhe për shfrytëzuesit e bllokut të dytë, ndërsa shfrytëzuesit e bllokut të tretë dhe të katërt do të paguajnë fatura më të larta, bëri të ditur kreu i Komisionit Rregullatorë të Energjetikës, Marko Bislimovski.
“Për bllokun e parë çmimi ulet për 5,16%, për bllokun e dytë dhe tarifën e lirë mbeten të njëjtë, për bllokun e tretë do të ketë rritje për 2,8% dhe për bllokun e katërt rritet për 1,86%.”, - deklaroi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
Bislimovski sqaroi se po të mos aplikohej koncepti i ri i kompensimit për qasje në rrjet, ku në kuadrin e të hyrave maksimale u aplikua mënyra e re e përllogaritjes së energjisë, me qëllim që llogaritë të jenë më transparente, çmimi për bllokun e parë do të rritej për 3,4%, në bllokun e dytë 8,62%, në bllokun e tretë për 9,36%, në bllokun e katërt 4,92% dhe tarifa e lirë për 15,42%.
“Në momentin kur e implementuam kompensimin për qasje në rrjet u udhëhoqëm nga vlerat më të rëndësishme themelore të Kushtetutës sonë, drejtësia sociale. Me aplikimin e kësaj qasjeje në rrjet mundësuam që çmimi për rrjetëzim të ulet pothuajse 23%, duke i mundësuar çmimet e lartpërmendura.”, - theksoi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
Bislimovski njëherit theksoi se te 80% e amvisërive tanimë aplikohet tarifa e lirë nga ora 13:00 deri në ora 15:00.
Bekteshi: Vendimi i KRRE-së, në interes të qytetarëve
Vendimi i KRRE-së është në interes të qytetarëve, të cilët kanë të ardhura të ulëta, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Në harxhimin e energjisë elektrike paguani rrjetëzim për kilovat, prandaj vendimi i KRRE-së është zvogëlimi i çmimit të rrjetit të distribuimit për ata që nuk shfrytëzojnë energji elektrike, ndërsa kanë qasje te energjia elektrike edhe ata të paguajnë kompensim për mirëmbajtjen e rrjetit,, që do të thotë se ngarkesa për rrjetin e distribuimit do të bie te qytetarët të cilët kanë vila, të cilët kanë dy banesa, të cilët kanë më tepër shtëpi apo qytetarë, të cilët nuk jetojnë vazhdimisht në vend. Qytetarët të cilët shfrytëzojnë për çdo ditë energji elektrike, për ata do të ulet për mbi 20% pagesa për rrjetin e distribuimit apo qytetarët e bllokut të parë dhe të dytë do të paguajnë fatura më të ulëta për energji elektrike.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi sqaroi se qytetarët të cilët deri tani kanë paguar fatura prej 2,000 denarësh, ku gjysma e faturës ka të bëjë me rrjetin e distribuimit, nga janari i vitit 2024 do të paguajnë fatura më të ulëta.
GYLTENE SINANI
