Maqedoni

Gjykata Kushtetuese, Kacarska: Nuk punësoj në bazë nacionaliteti, por merite

26.12.2023 14:34

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, edhe përkundër dispozitave kushtetuese dhe ligjore për përfaqësim...

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, edhe përkundër dispozitave kushtetuese dhe ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucione shtetërore dhe publike, me këmbëngulje thotë se përderisa ajo është kryetare e gjykatës, punësimet do të bëhen në bazë të meritave dhe jo përkatësisë etnike. Theksoi se me çfarëdo lloj çmimi nuk do të lejojë që në konkurset e publikuara të saktësohet se vendi i punës është i paraparë për kandidatë shqiptarë apo të ndonjë etniteti tjetër.
 
“Jo, unë veproj sipas ligjit dhe Kushtetutës. Edhe diçka t’ju them, në Gjykatën Kushtetuese mënyra e punësimit është provimi më shkrim prej 60 pyetjeve që nuk janë të lehta, ka intervistë me ekspertë. Në Komisionin për çështje kadrovike jam unë, dy gjykatës, sekretari dhe shefi i kabinetit - këshilltar i Gjykatës. Ata që janë me rezultate më të mira, ekskluzivisht ato pranohen pa marrë parasysh a janë pjesëtarë të këtij apo atij nacionaliteti. Kjo duhet të jetë mënyra e punësimit në çdo institucion. Nuk guxoni të shpallni konkurs dhe të thoni 3 vende për këshilltarë të gjykatës dhe të shënoni p.sh. se duhet të jenë 2 shqiptarë dhe 1 maqedonas. Të gjithë janë të njëjtë, deri sa jam unë këtu, ai që do të japë rezultate më të mira, ai do të punësohet.”, - deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.
 
Së fundmi Gjykata Kushtetuese, deri në sjelljen e vendimit përfundimtar për Kushtetutshmërinë e Ligjit për librat amë, solli vendim për ndalimin e përkohshëm për lëshimin e certifikatave nga institucionet përkatëse, në të cilat do të kishte grafik për përkatësinë etnike, qëllimi i së cilës ishte të mos keqpërdoret nacionaliteti.
 
“Nëse dikush keqpërdor apo jo, ajo është një çështje tjetër, këtu flasim për ndjenjë personale, askush në këtë shtet nuk guxon të obligojë dikë t’i tregojë ndjenjat personale. Mundet në bazë individuale nëse ju dëshironi, në të kundërtën jo. Një obligim i tillë për qytetarët nuk mund të ekzistojë. Nuk shkurtohet çfarëdo e drejte e qytetarëve, nëse nuk futet nacionaliteti në certifikata.”, - theksoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.
 
Kacarska elaboroi punën e Gjykatës Kushtetuese për vitin që po lëmë pas duke theksuar se janë mbajtur numër rekord i seancave dhe janë pranuar 210 iniciativa. Nga politikanët kërkoi zgjedhjen edhe të anëtarit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe futjen e "Ankesës Kushtetuese" si një metodë e re, ku qytetarët do t’i realizojnë të drejtat e tyre.
 
FLORIJE KAMBERI