Botë

Shqipëri, 10 milionë turistë kanë qëndruar përgjatë këtij viti

26.12.2023 14:53

Bumi turistik i këtij viti është kurorëzuar me mbi 10 milionë turistë....

Bumi turistik i këtij viti është kurorëzuar me mbi 10 milionë turistë të huaj që e kanë vizituar Shqipërinë përgjatë këtij viti.
 
Kryeministri Edi Rama publikoi shifrat, duke i quajtur një arritje të paimagjinueshme më parë.
 
“Gëzuar! 10 milionë e 11 mijë e 500 turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë deri mbrëmë.”, shkroi kryeministri, Rama, në rrjetet sociale.
 
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, përveç vizitorëve besnikë nga Kosova që zënë peshën kryesore të hyrjeve turistike, duke u rikthyer disa herë brenda vitit, italianët kanë qenë surpriza e këtij viti, me 872 mijë vizitorë. Më pas për nga numri i vizitorëve kryeson Mali i Zi, Spanja, Franca e Gjermania. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të INSTAT-it, Shqipëria po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistë që vijnë nga Turqia, Kina e vendet nordike.
 
Këtë vit një rritje të madhe pësoi edhe numri i turistëve gjatë dimrit, duke e kthyer Shqipërinë në vend turistik të çdo stine. Ambicia e qeverisë ka qenë për të arritur 10 milionë vizitorë, shifër që tashmë është tejkaluar.
 
Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vetëm në korrik, gusht e shtator të ardhurat nga turizmi ishin rreth 1,7 miliardë euro ose rreth 600 milionë euro më shumë se vjet. Ndërsa përgjatë 9 muajve të huajt kanë shpenzuar në Shqipëri 3,2 miliardë euro.
 
LULJETA NDOKA