Maqedoni

Vazhdon “beteja” kundër mjeteve piroteknike, fushata “Fishekzjarrë jo - siguria para se gjithash!”

26.12.2023 15:08

Përdorimi i pushkaliqeve nuk është shaka, por një veprim i cili po shkakton shumë të lënduar...

Përdorimi i pushkaliqeve nuk është shaka, por një veprim i cili po shkakton shumë të lënduar, sidomos në natën e ndërrimit të moteve. Nga përdorimi i tyre në nivel vjetor regjistrohen një numër i madh i zjarreve, shpërthimeve, lëndimeve dhe rasteve të vdekjes të shkaktuara nga përdorimi i paautorizuar i pushkaliqeve dhe mjeteve piroteknike. 
 
Siç po afrohen festat e fundvitit, ashtu po rritet edhe shitja e pushkaliqeve, gjë e cila është e ndaluar rreptësisht nga ana e MPB-së, por e cila ka paralajmëruar edhe shqiptim të gjobave të larta. Sigurisht se edhe nga spitali shtetëror kanë paralajmëruar se përdorimi i pushkaliqeve do të sjellë edhe pasoja për shëndetin e tyre.
 
Për këtë qëllim Ministria e Punëve të Brendshme apelojnë deri tek qytetarët që të mos përdoren të njëjtat, sepse përveç lëndimeve trupore, ndaj qytetarëve dhe shitësve do të shqiptohen edhe dënime të rënda.
 
“Kishim mundësi që bashkërisht ta përcjellim këtë demonstrim, që çdo vit e realizon SPB-Shkup dhe Kryqi i Kuq i RMV-së në kuadër të fushatës për masat preventive nga përdorimi i mjeteve piroteknike, ku fokusi vendoset në rreziqet, të cilat mund të vijnë nga përdorimi i tyre në mënyrë të paautorizuar dhe me këtë shpresoj ta ngremë edhe vetëdijen e qytetarëve. Gjatë kësaj kohe kemi vizituar mbi 50 shkolla të mesme ku kemi demonstruar se cilat mund të jenë pasojat.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Por përdorimi i tyre ka filluar në masë të madhe t’i shqetësojë edhe qytetarët të cilët para kamerës sonë kanë apeluar që duan që festat e fundvitit t’i kalojnë pa përdorimin e të njëjtave.
 
“Po pengojnë sigurisht, ma mirë është mos  t’i përdorin, është më mirë edhe për shëndetin, sepse shumë njerëz kanë mbetur me të meta fizike.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Nuk duhet të përdoren edhe për shkak gjobave, edhe për shkak të lëndimeve. Mua personalisht shqetësim nuk më shkaktojnë, por është puna se me fenë tonë janë të dëmshme.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
“Po shumë na pengojnë.”, - tha një qytetar.
 
“Kuptohet se nuk duhet të pëlcasin pushkaliqe, sepse në radhë të parë është e mirë për shëndetin e tyre, por pastaj edhe për ajrin.”, - tha një qytetare.
 
Nga Spitali Shtetëror theksojnë se përdorimi i pushkaliqeve shkaktojnë stres, ndjenjë intensive të frikës dhe shqetësimit, kurse mund të shkaktojnë edhe atak në zemër. Sipas tyre, ndër lëndimet më të shpeshta të shkaktuara nga përdorimi i pushkaliqeve dhe mjeteve piroteknike janë lëndime komplekse të pëllëmbës me invaliditet të përhershëm, djegie të lëkurës, amputimi i gishtërinjve dhe duarve, si dhe lëndime të syve dhe fytyrës. Sipas të dhënave zyrtare thonë se mbi 150,000 njerëz në botë çdo vit mbesin invalidë, për shkak të përdorimit të pushkaliqeve, prej tyre 80% janë fëmijë. Fakt brengosës paraqet që thuajse gjysma e fëmijëve të lënduar gjatë përdorimit të pushkaliqeve janë fëmijë nën 16 vjet, kurse meshkujt janë tre herë më shumë viktima se sa vajzat. Aksioni i MPB-së nën parullën “Pushkaliqe jo - siguria para se gjithash!” do të vazhdojë edhe ditëve në vijim. 
 
FITIM KRYEZIU