Ekonomi
Banka Zhvillimore, gjatë krizës mbështetje prej 378,8 milionë euro
26.12.2023 15:25
Banka e Zhvillimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e likuiditetit të kompanive...

Banka e Zhvillimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e likuiditetit të kompanive, ruajtjen e vendeve të punës dhe zhvillimin e ekonomisë edhe përballë sfidave globale, tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ai këtë pretendim e bazon në faktin se gjatë periudhës pesë vjeçare me krizën pandemike dhe energjetike, përmes Bankës për Zhvillim është siguruar mbështetje financiare për kompanitë në vlerë të përgjithshme prej 378,8 milionë euro, për 6,307 kompani dhe 50,529 vende pune.
“Në periudhën e ardhshme pritet realizimi i masave të reja në vlerë të përgjithshme prej 215 milionë eurosh, me të cilat do të mbështeten 855 kompani vendore. Kjo është pjesë e asaj që ne si Qeveri bëjmë për të mbështetur kompanitë në kohë krize, për të ruajtur likuiditetin e tyre, por edhe për të zbatuar projekte investimi për të siguruar rritjen e kompanive të tyre dhe rrjedhimisht rritjen e ekonomisë në tërësi.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Fokusi i Bankës për Zhvillim është dhe do të jetë në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të shtetit nëpërmjet kredive favorizuese, mbështetje për financimin e gjelbër, si dhe mbështetje për proceset që lidhen me digjitalizimin dhe zgjidhjet inovative midis kompanive, tha drejtori i Bankës Zhvillimore, Naumov.
“Për punën e Bankës flasin edhe rezultatet financiare edhe atë, aktivet e Bankës në 4 vitet e fundit janë rritur në mënyrë kumulative me 56,2% ose mesatarisht 18,7% në vit. Kreditë neto në 4 vitet e fundit janë rritur në mënyrë kumulative me 55,0% ose mesatarisht 18,3% në vit. Në 4 vitet e fundit, kapitali i Bankës është rritur në mënyrë kumulative me 35,2% ose mesatarisht 11,7% në vit.”, - theksoi drejtori i Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, Kire Naumov.
Sa i përket ankesave për subvencionim të vetëm tri sektorëve me masa antikrizë, ministri i Financave, Besimi, tha se ishte rekomandim i FMN-së, që të përkrahen sektorët intensive të punës si turizmi, ndërtimtaria dhe tekstili.
“Gjatë bisedimeve, e dini se misioni i FMN-së ishte këtu, ku edhe biseduam për pakot e masave antikrizë, në këtë fazë në bisedimet me to, edhe pse ishte filluar për të gjithë ekonominë, u tha që të alokohen mjete të targetuara vetëm atje ku do të kishin efekt më të madh dhe prandaj janë përzgjedhur vetëm këto tri sektore.”, - u shpreh ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Besimi gjithashtu hodhi poshtë paralajmërimet e sindikatës se në rast të grevës do të mbyllet edhe trezori i Ministrisë së Financave, duke thënë se edhe grevat kanë dispozitat e tyre ligjore dhe në asnjë rast nuk mund të mbyllet trezori i Ministrisë së Financave.
ERSAN PAJAZITI
