Maqedoni
Propozim-buxheti për vitin 2024, Opozita: Mungojnë investimet kapitale
26.12.2023 15:42
Opozita parlamentare vazhdoi shënjestrimet ndaj pushtetit për planifikimet e buxhetit për vitin 2024....

Opozita parlamentare vazhdoi shënjestrimet ndaj pushtetit për planifikimet e buxhetit për vitin 2024. Sipas tyre, gjithçka mbetet fjalë në letër, me investime minimale kapitale duke përgënjeshtruar edhe uljen e shpenzimeve joproduktive. Sipas tyre, shpërndarja e parave shtetërore bëhet në mënyrë kriminale dhe sikurse në të kaluarën duke anashkaluar investimet kapitale: ndërtim i spitaleve, autostradave, shkollave dhe kopshteve.
“Nëse shikoni pjesën e shpenzimeve do të vëreni se për mallra dhe shërbime ka rritje për 7,8%, blerje të mobilieve ka rritje për 106,2%; blerje të veturave për 208%. Këto janë investimet tuaja kapitale. Ndërkaq, në anën tjetër, nëse shihni Ministrinë për Transport dhe Lidhje, gjegjësisht përqindjen për ujësjellës dhe kanalizime, do të shihni se keni ulje për 98% për ndërtimin e rrjeteve të reja të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Këto janë investime kapitale që duhet ndërtuar në Maqedoni, e jo blerje të mobilieve dhe veturave të reja.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Mirçe Axhioski.
Pushteti përgënjeshtron pretendimet e VMRO-së
Sipas deputetëve të pushtetit, investimet infrastrukturore nuk kanë munguar nga kjo qeveri, ndërkohë që kundërshtuan pretendimet për dedikime kriminale të parave buxhetore.
“Do t’ju pyes se sa procedura penale ka për funksionarë tuaj, përfshirë edhe selinë e partisë suaj? Habitem për atë që thatë se paratë janë shpenzuar në mënyra të dyshimta. Kjo nuk është
aspak e vërtetë. Të dyshimtë jeni ju.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Belkisa Zekiri.
Pushteti, theks të veçantë i vendosi edhe mbështetjes së qytetarëve e në veçanti kategorive të rrezikuara me masat antikrizë. Por, sipas opozitës, shumica është jokonstruktive, pasi buxhetin e planifikon për punësime të mbi katër mijë personave partiak, duke mos përfillur amendamentet e VMRO-së.
MERAL ISMAILI
