Maqedoni
Plotësimi i vendit në KShZ, Kovaçevski: Afatet janë punë e Kuvendit, jo e Qeverisë
26.12.2023 15:58
Opozita shqiptare, por edhe ajo maqedonase vazhdojnë të insistojnë në zgjedhjen e anëtarit të 7-të të KShZ-së....

Opozita shqiptare, por edhe ajo maqedonase vazhdojnë të insistojnë në zgjedhjen e anëtarit të 7-të të KShZ-së nga radhët e opozitës. Kryeministri Dimitar Kovaçevski u pyet sërish rreth kësaj çështjeje, por ai e hodhi topin në Kuvend.
“Qeveria nuk zgjedh anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, afatet kushtëzuese duhet t’i dorëzojnë në Kuvend.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Lidhja Demokratike: Anëtari i KShZ-së i takon opozitës
Lidhja Demokratike (LD) i bën thirrje BDI-së dhe LSDM-së që të mos bllokojnë zgjedhjen e anëtarit të KShZ-së, sepse ajo është obligim ligjor.
”Zgjidhjet nga Kodi Zgjedhor janë të qarta dhe pengesat nga BDI-ja dhe LSDM-ja tregojnë për një skenar të mundshëm për shkelje të rregullave zgjedhore dhe kontestim të rezultateve zgjedhore.”, thonë nga LD-ja.
VMRO-DPMNE: Në prag të zgjedhjeve, pushteti bën punësime
Ndërkohë VMRO-DPMNE ka lëshuar kritika në adresë të pushtetit edhe për punësime në prag të zgjedhjeve.
“500 vende pune vetëm në ESM dhe mbi 500 vende pune, nëpër institucione të ndryshme. Ryshfet brutal dhe loja me ndjenjat e njerëzve. Ata guxojnë të abuzojnë me standardin e ulët të jetesës, me varfërinë dhe vuajtjet e popullit, vetëm për më shumë vota, por jo për të fituar, por për të ulur humbjen elektorale.”, - theksoi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
Nga partia e Mickoskit, gjithashtu thonë se për kaq vite në pushtet, Kovaçevski nuk ka arritur të vlerësojë se ka mungesë kuadri në Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe pikërisht para zgjedhjeve do të punësojnë 29 persona.
SANIJE DURAKU
