Maqedoni
Rasti “Llaskarca”, fjalët përfundimtare e mbrojtjes
26.12.2023 16:34
Gjykata Penale në Shkup ka mbajtur seancë të re për fatkeqësinë e autobusit në Llaskarcë, ku e kanë humbur jetën 16 persona...

Gjykata Penale në Shkup ka mbajtur seancë të re për fatkeqësinë e autobusit në Llaskarcë, ku e kanë humbur jetën 16 persona, ndërsa mbi 30 ishin lënduar. Në seancën gjyqësore, fjalën përfundimtare e prezantuan mbrojtja e të akuzuarit të katërt, të pestë dhe të gjashtë, Goran Dukovski, Jane Bovaski dhe Manoil Trifunovski. Mbrojtësit e dy të akuzuarve të parë theksuan se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se është kryer vepër penale, prandaj kërkoi nga gjykata vendim për lirimin e të akuzuarve.
“Në rastin konkret kemi të bëjmë me shoferin, gjithçka tjetër është involvim i personave tjerë që janë fajtorë. Kualifikimi juridik është sjellë në mënyrë të denjë, kjo u dëshmua me ekspertizën shtesë si nga ekspertët e komunikacionit, po ashtu edhe nga ekspertët e makinerisë.”, - deklaroi avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.
Por, prokurori kërkoi dënime maksimale për fatkeqësinë që ka ndodhur në vitin 2019. Ndërsa familjarët e viktimave kanë vërejtje për mënyrën e procesit gjyqësor, duke theksuar se nuk po respektohen qëndrimet e Prokurorisë.
“Ky cirk i gjykatës nuk mund të tolerohet. Shikojeni që në çdo pyetje që i takon me ligj prokurorit, nuk i lejohet të përgjigjet. Çfarë drejtësie të presim, drejtësi të tillë?”, - u shpreh familjari i viktimave.
Sipas prokurorisë, të gjithë të akuzuarit kanë qenë të papërgjegjshëm në veprime dhe ishte vetëm çështje kohe se kur do të ndodhte një aksident i tillë me pasoja fatale. Tre punonjësit e stacionit të Kontrollit Teknik të Kompanisë “Durmo Turs”, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, sipas nenit 300, paragrafi 2 i Kodit Penal, nëse shpallen fajtorë, i pret dënim me burg me së paku katër vite.
FITORE DEMOLLI
