Maqedoni
Gjykatë, rriten kriteret për anëtarë në Këshillin Gjyqësor
25.03.2015 17:30
Qeveria propozon ridefinimin e kushteve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjykatësve...

Qeveria propozon ridefinimin e kushteve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjykatësve, përveç provimin të jurisprudencës, duhet të kalojnë edhe testin psikologjik dhe atë të integritetit, por ajo që u kontestua nga deputetët e bashkësive më të vogla etnike është kërkesa që kandidatët të kenë mbi 15 vjet përvojë pune.
Deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, vlerëson se pragu i paraparë me këtë ligj redukton kandidatët e bashkësive etnike joshumicë, të cilët nuk mund të kenë këtë përvojë pune si gjykatës, pasi bashkësitë etnike deri vonë kanë qenë të përjashtuar nga institucionet.
“Mendoj se duhet të kihet parasysh përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në RM-së. Këtë e them për shkak se kriteriume duhet të ketë, por pragu prej 16/17 vjet për të marrë statusin e gjyqtarit mendoj se me të vërtetë është shumë i lartë”- deklaroi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.
Haliti, kërkoi uljen e pragut të përvojës prej 15 vjet në tetë vjet dhe paralajmëroi ndërhyrje me amendamente pasi të konsultojnë të dhënat se sa gjykatës të bashkësive etnike e plotësojnë këtë kusht.
Mirëpo, përfaqësuesja e qeverisë, zëvendësministrja e Drejtësisë, Biljana Boshkoski, tha se propozuesi mbetet në qëndrimin e mëparshëm se kandidatët duhet të kenë këtë përvojë pune për t’iu përgjigj kompetencave që ka ky trup në sistemin gjyqësor.
“Mbetemi në qëndrimin se periudha prej 15 vjet pas dhënies së provimit të jurisprudencës është periudhë e mirë, gjatë së cilës dikush duhet të përfitojë përvojë profesionale që t’u përgjigjet funksioneve në kuadër të Këshillit Gjyqësor. Gjithashtu, periudhën prej 15 vjet përvojë pune e parashohim edhe në kuadër të Këshillit për Verifikimin e Fakteve dhe Ngritjen e Procedurave Disiplinore”- tha zëvendësministrja e Drejtësisë, Biljana Boshkoski.
Të njëjtën vërejtje e pati edhe deputeti, Kenan Hasip, përfaqësues i bashkësisë turke.
Sipas propozuesit, ndryshimi i Ligjit për Këshillin Gjyqësor bazohet në parimet kryesore të Ligjit për Gjykata dhe ka për qëllim të mundësojë gjyqësor të pavarur, si kusht për sundimin e ligjit dhe garanci për gjykim korrekt.
SHPËTIM NUREDINI
