BE mirëpret vendimin e Serbisë për targat RKS

26.12.2023 19:17

Bashkimi Evropian e ka cilësuar si hap pozitiv....

Bashkimi Evropian e ka cilësuar si hap pozitiv, drejt normalizimit të raporteve, vendimin e Serbisë që brenda territorit të saj të lejojë qarkullimin e lirë të veturave me targa të Kosovës, RKS.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, por edhe zotimeve të mëparshme në kuadër të dialogut që lirinë e lëvizjes. Po ashtu është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të Ballkanit Perëndimor. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Stano përmes një përgjigje me shkrim.

Më 25 dhjetor, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, kumtoi lajmin se nga 1 janari i vitit 2024, veturave me targa RKS do t’iu mundësohet lëvizja e lirë në territorin e Serbisë. Megjithatë, nuk specifikoi nëse targat e veturave do të mbulohen me letra ngjitëse kur të kalojnë kufirin, praktikë që aktualisht zbatohet.