Maqedoni
Vrasja në Gjorçe, mbrojtja kërkon ekspertizë neuropsikiatrike
25.03.2015 17:42
Nuk merret parasysh kërkesa për ekspertizë të re neuropsikiatrike të cilën e kërkoi pala mbrojtëse e Naser Eshtrefit, i cili është i akuzuar për vrasje të Angel Petkovskit...

Avokati mbrojtës i Naser Eshtrefit thotë se klienti i tij nuk ka qenë në gjendje të qetë psikike në momentin kur ka kryer aktin dhe se të njëjtin e ka bërë në vetëmbrojtje, andaj edhe kërkon ekspertizë të re që do të përfshinte neuropsikiatrin, psikiatrin dhe psikologun.
“I bëj thirrje të gjitha institucioneve, por edhe prokurorit, të propozojnë cilin institucion që duan dhe të hetojnë këtë çështje. Të japin përgjigje në mënyrë objektive dhe të paanshme. Ne do të pranojmë cilindo rezultat që do të jetë ai”- deklaroi avokati i të akuzuarit, Angel Gjeorgjiev.
Mbrojtja, madje, thotë se Naseri po keqtrajtohet fizikisht, përveç keqtrajtimit psikik.
“Sot, në seancë pamë maltretimin fizik të të akuzuarit, i cili së paku 10 herë ka qenë i goditur, dhunë e tmerrshme me të cilën dikë do të mund ta mbysni vetëm me një goditje”- tha avokati i të akuzuarit, Angel Gjeorgjiev.
Prokuroria dhe avokati i viktimës thonë se pala mbrojtëse nuk ka të drejtë për ekspertizë, por bën mirë që të shohë me vëmendje xhirimet.
“Pala mbrojtëse po mbrohet me teorinë se i akuzuari ka qenë në rrezik për jetë. Siç i keni parë incizimet, e gjithë ngjarja ka ndodhur për 25 sekonda. Nëse mundet që për 25 sekonda të jepen 17 goditje, do të thotë se ka qenë më i shpejt se “Supermeni”. Hetimi neuropsikiatrik nuk është i lejuar, bazuar në nenin 236 të Ligjit për Procedurë Penale”- tha avokati i viktimës, Zvonko Davidoviq.
Avokati mbrojtës i Naserit do të kërkojë që gjyqi të marrë në pyetje edhe të atin e të ndjerit, pasi që ai ka qenë pjesëmarrës në rrahje dhe ka qenë dëshmitari i vetëm i afërt okular i gjithë asaj që ka ndodhur.
Gjykatësit thanë se pas tre ditësh do të vendosin se a do t’i pranojnë dëshmitë.
ERSAN PAJAZITI
