Botë
Gaza, Izraeli zgjeron ofensivën në Gazën qendrore
27.12.2023 13:35
Forcat izraelite kanë zgjeruar ofensivën në Gazën qendrore ku kanë bombarduar kampet e refugjatëve....

Forcat izraelite kanë zgjeruar ofensivën në Gazën qendrore ku kanë bombarduar kampet e refugjatëve, ndërsa u kërkuan banorëve të evakuoheshin. Izraeli thotë se lufta do të zgjasë për "shumë muaj", ndërsa zotohet për shkatërrimin e grupit militant të Hamasit. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka deklaruar se ushtria po thellonte luftimet.
“Kemi luftëtarë në tokë, ndonjëherë edhe nën tokë, kemi sy në qiell. Ju themi terroristëve të Hamasit se ju shohim dhe do të arrijmë tek ju.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Hamasi, kritika ShBA-së për mbështetjen e Izraelit
Forcat izraelite janë përfshirë në luftime të rënda urbane në veri të Gazës dhe në qytetin jugor, Kan Junis, duke i shtyrë palestinezët në zona gjithnjë e më të vogla në kërkim të strehimit. Ndërkohë Hamasi ka kritikuar ShBA-në për përkrahjen ndaj ushtrisë izraelite.
“Flasin për civilët dhe mbrojtjen e tyre nga njëra anë, ndërsa më pas flet për mbrojtjen e vrasësve, sigurimin e armëve dhe mbrojtje politike nga ana tjetër. Kjo Bajdenin e bën bashkëpjesëmarrës në krim.”, - theksoi zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan.
ShBA-ja, sulme ndaj Hezbullahut në Irak
Ndërkohë sulmet e shpeshta ndaj trupave amerikane dhe anijeve tregtare në Detin e Kuq kanë ngritur frikën e një përhapjeje të konfliktit në Lindjen e Mesme. Forcat Ajrore amerikane kanë goditur objektivat e Kataib Hezbollahut në Irak, si përgjigje e një sulmi të mëparshëm. Në Detin e Kuq, ata rrëzuan mbi dhjetë dronë dhe pesë raketa të lëshuara nga Huthët. Izraeli gjithashtu informon për sulmet e vazhdueshme në Detin e Kuq.
“Ne kapëm me sukses një objektiv ajror armik në Detin e Kuq, i cili ishte rrugës për në territorin izraelit. Sulmi i Huthëve ndaj Izraelit është një akt terrori i kryer nën udhëheqjen iraniane. Këto akte armiqësie nuk synojnë vetëm Izraelin, por janë një problem global.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari.
Derisa po zhvillohen luftime të ashpra në Gazën qendrore dhe në jug të Kan Junisit, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kapacitetet shëndetësore atje po zvogëlohen gjithnjë e më shumë. Ndërsa edhe pas rezolutës për rritjen e ndihmës në Gaza, numri i kamionëve me ndihma që arrijnë atje është i pa mjaftueshëm.
FITORE DEMOLLI
