Botë
Kurti: Njohja e targave RKS, manovër e Serbisë
27.12.2023 14:09
Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur manovër vendimin e Qeverisë së Serbisë për njohjen e targave RKS.....

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur manovër vendimin e Qeverisë së Serbisë për njohjen e targave RKS. Kurti tha se vendimi i Serbisë është marrë me qëllim të uljes së kritikave të ndërkombëtarëve mbi Serbinë, pas zgjedhjeve të dhjetorit pas të cilave opozita atje po proteston për manipulim. Vendimi i Serbisë, sipas kryeministrit të Kosovës vjen pas më shumë se 10 vitesh moszbatim të marrëveshjeve paraprake dhe përdorimit të çështjes së targave për dy vite për të tensionuar situatën në veri të Kosovës.
“Targat në Kosovë, në shtator të vitit 2021, përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG 29 të ngritur në qiell përreth kufirit e për të tentuar destabilizim në veri, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave që ishin ngritur rrugëve të komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit të kaluar, kurse në dhjetor, sivjet po përdoren për të ulur presionin nga Perëndimi demokratik (BE-ShBA) mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të marrëveshjes bazike të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti, njëherit paralajmëroi se Qeveria e Kosovës do të marrë vendim për t’i lejuar targat e Serbisë, pasi Policia e Kosovës të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.
GYLTENE SINANI
