Ekonomi

Kuvend, vazhdojnë përplasjet rreth propozim-buxhetit

27.12.2023 14:44

Buxhet parazgjedhor për të blerë qytetarët, e jo për nevojat e qytetarëve...

Buxhet parazgjedhor për të blerë qytetarët, e jo për nevojat e qytetarëve, ishte kualifikimi i radhës i opozitës në vazhdën e debatit për buxhetin e vitit 2024. Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, buxheti për vitin e ardhshëm në përqindje të lartë do të mbushet nga tatimet, pasi tatimi i fitimit rritet për 12%, po aq edhe TVSh-ja, si dhe shpenzimet e importit dhe akcizat. Paralelisht me këtë, opozita konsideron se ka shkurtime të shumta në arsim duke ndikuar në largimin e të rinjve. Kritika kishte edhe për mosmbështetjen e pensionistëve.
 
“Kemi mbi 97 mijë pensionistë, të cilët jetojnë me pensione prej 12 mijë e 300 denarë. A nuk është kjo varfëri? Kjo qeveri a nuk premtoi jetë për të gjithë, a nuk u betua se do të punojë dhe tani të gjejë mekanizëm dhe të ndihmojë pensionistët. Ne jemi dëshmitarë se kjo qeveri, në këtë shtet ndihmon kriminelët që të rrisin krimin dhe të mos ndëshkohen, në vend se të ndihmojë pensionistët.”, - deklaroi deputetja e VMRO–DPMNE-së, Beti Stamenkoska. 
 
Nga LSDM-ja me kundër akuza se VMRO-ja ka dëmtuar pensionistët, pasi projektimi aktual është vizionar në më shumë fusha.
 
“Mos i nënçmoni pensionistët. Ata mbajnë mend mirë se në vitin 2013, vetë pushteti i VMRO-DPMNE-së suspendoi nenin ku kishte harmonizim të pensioneve dhe në vitin 2014, 2015 dhe 2016 vetëm nga një herë u hidhte thërrime prej 600 denarëve atyre. T’ju them se ne punojmë në mënyrë sistematike dhe do të ketë para për rroga dhe pensione në të ardhmen.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.
 
Opozita po ashtu ishte skeptike në realizimin e buxhetit, pasi sipas tyre, deputetët e pushtetit thonë vetëm gjëra të bukura duke fshehur huamarrjet. Nuk munguan as vërejtjet për mungesën e projekteve infrastrukturore dhe tërheqjen e investimeve të huaja si pasojë e jostabilitetit ekonomik.
 
MERAL ISMAILI