Maqedoni
LSDM: Kovaçevski të nisë bisedimet për frontin evropian
27.12.2023 15:00
LSDM-ja në organet partiake ka caktuar emrat e kandidatëve për ministra në Qeverinë teknike...

LSDM-ja në organet partiake ka caktuar emrat e kandidatëve për ministra në Qeverinë teknike, njëherit i dhanë dritë jeshile liderit të tyre, Dimitar Kovaçevski, që të formojë grup punues, i cili do të zhvillojë bisedimet me të gjitha subjektet dhe të gjithë ata që vendin e shohin si anëtare të plotë të BE-së. Kryeministri njoftoi se bisedimet për një front të gjerë evropian kanë filluar, por edhe kërkoi nga subjektet politike që të përmbushin obligimet ligjore sa i përket Qeverisë teknike, që të mos mbetet asnjë njollë në procesin zgjedhor.
“Ne kemi përcaktuar tashmë në përputhje me statutin propozimet tona për ministra, për zëvendësministra, për zëvendësministra shtesë në Ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Punës dhe Politikës Sociale. Dje koordinatori ynë i grupit parlamentar zyrtarisht u promovua si kandidat për kryetar të Kuvendit dhe me këtë LSDM-ja përfundoi pjesën e procedurës para se të hyjmë në Kuvend për të votuar Qeverinë teknike. Qeveria teknike është një detyrim ligjor. Njësoj sikur të më pyesni nëse do të dorëzoj dorëheqjen për 100 ditë para Qeverisë dhe t'ju them jo, do ta dorëzoj në ditën e 96-të. Kjo është mospërfillje e ligjit.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickoski: Nuk e votojmë Xhaferin, VMRO-ja do të jetë pjesë e Qeverisë teknike
VMRO-DPMNE-ja do të marrë pjesë, por nuk do të votojë për Qeverinë teknike, ka bërë të ditur gjatë një brifingu me gazetarët, lideri i kësaj partie, Hristian Mickoski. Kandidatët në Qeverinë teknike, VMRO-ja, do t’i bëj të ditur pas festave.
“Do të marrim pjesë në Qeverinë teknike. Ne do të përmbahemi, jo për shkak të Xhaferit dhe për shkak se është shqiptar, e kam sugjeruar më parë Gashin, por nuk e vlerësojmë që Xhaferi ka bërë diçka si kryetar në Parlament, nuk do të sjellë cilësi.”, ka thënë Mickoski.
Nga mesi i janarit duhet të fillojnë procedurat formalo-juridike për përgatitje për zgjedhjen e Qeverisë teknike. Dorëheqje nuk do të japë vetëm kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, por me të e gjithë Qeveria, gjithashtu do të dorëhiqet edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili është propozuar për kryeministër teknik. Para se të bëhet zyrtarisht mandatar, Xhaferit në seancë të veçantë duhet t’i konstatohet dorëheqja, e pastaj pritet të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitreski, nga LSDM-ja. Gjithashtu do të duhet të plotësohet edhe vendi i deputetit të Xhaferit nga lista e BDI-së në Njësinë zgjedhore 5. Zgjedhja e Qeverisë teknike është parashikuar për më 28 janar.
SANIJE DURAKU
