Maqedoni

2023-shi dhe Eurointegrimi, Mariçiq: Opozita e dogji vazhdimin e negociatave

27.12.2023 15:12

Vitin që po e lëmë pas ishte një vit dinamik, me sfida, por edhe suksesshëm për procesin e skriningut....

Vitin që po e lëmë pas ishte një vit dinamik, me sfida, por edhe suksesshëm për procesin e skriningut, thotë zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq, duke përkujtuar se pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese, nuk ka mbajtje të konferencës së dytë ndërqeveritare, rrjedhimisht, hapje e kapitujve me BE-në. Adreson opozitën si fajtoren kryesore për stagnimin e vendit drejt Unionit, ndërkaq përgjegjësi sipas tij për të ardhmen e vendit e mban secili përfaqësues i zgjedhur në Kuvend. 
 
“Viti 2023 ishte vit i humbur vetëm për opozitën, sepse ne si Qeveri realizuam shumë. Unë shpresoj se gjatë vitit 2024 do ta riparojmë konsensusin politik për BE-në, sepse ai nuk duhet të jetë  vetëm në nivel të retorikës dhe në nivel të angazhimeve parimore politike, por edhe në nivel të miratimit të vendimeve politike madhore kur ato duhet të miratohen. VMRO-DPMNE-ja vendosi t’i përkulet së majtës në vend të partive proevropiane. Nëse do kishte ndodhur e kundërta deri më tani do t’i kishim përfunduar ato obligime dhe do të merreshim me çështje të tjera.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
 
Mariçiqi shpalosi edhe obligimet e brendshme që dalin nga dy udhërrëfyesit dhe Planit Aksional për mbrojtje të pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë.
 
“Masat e parapara në udhërrëfyes kanë për qëllim departizimin, efikasitetin dhe përgjegjësinë e administratës publike që siguron politika të larta kualitative, politika që bazohen në parime dhe praktika evropiane me të cilat vlerësohet dhe kontribuohet në rritjen e qëndrueshme ekonomike, sundimin e ligjit, progresin dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe Prokurorisë, si dhe luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
 
Vendi do të vazhdojë të punojë në strategjinë për t’u bërë anëtare e Unionit deri në vitin 2030, shton Mariçiqi, duke bërë thirrje që të shfrytëzohet përkrahja dhe fokusi i BE-së për zgjerimin e saj me vendet aspirantë. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU