Maqedoni

Raporti vjetor, Avokati i Popullit: Vit i diskriminimit të fëmijëve shqiptarë në arsim

27.12.2023 15:37

Në vitin 2023 nuk është siguruar mbrojtje e mjaftueshme e të drejtave të qytetarëve...

Në vitin 2023 nuk është siguruar mbrojtje e mjaftueshme e të drejtave të qytetarëve. Avokati i Popullit, Naser Ziberi, konstatoi dhe vlerësoi se ky vit ishte veçanërisht i vështirë për të drejtat e fëmijëve, veçanërisht në fushën e arsimit. Këtu Zyberi potencoi si shqetësim rastin ku në tri shkolla u pamundësua që nxënësit shqiptarë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. 

“Nxënësit shqiptarë në disa komuna siç është Gazi Baba, Velesi dhe Çashka u ballafaquan me mohim të realizimit së të drejtës për arsim në gjuhën shqipe. Nga veprimet e këtilla drejtpërdrejt cenohet e drejta e arsimit në gjuhën shqipe, konventa ndërkombëtare dhe Kushtetuta e vendit.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Zyberi. 
 
Ziberi: Të burgosurit ishin viktimë e dhunës nga policia
 
Një tjetër rast shqetësues, që ka lënë shenjë në vitin 2023 është edhe rasti me kontrollin e policisë në burgun e Idrizovës, ku sipas konstatimeve të Avokatit të Popullit është ushtruar dhunë. 
 
“Me pa të drejtë kanë qenë viktimë e dhunës që ka ushtruar policia. Janë lidhur, janë rrahur nëpër të gjitha pjesët e trupit, edhe pse nuk kanë dhënë ndonjë rezistencë ndaj kontrollit që ka bërë policia. Nga pamjet që kemi parë shihen lëndime trupore të të burgosurve në këmbë, në gjymtyrë, në kokë dhe në pjesët tjera të trupit, për çka me lejen e tyre janë bërë fotografi dhe të njëjtat janë dokumentuar edhe me video-incizime.”, - theksoi Avokati i Popullit, Naser Ziberi. 
 
Avokati i Popullit: Kritika në punën e Kuvendit
 
Ziberi, me kritika edhe për punën e Kuvendit. Ai tha se institucioni ligjvënës nuk arriti të shqyrtojë me kohë raportin e Avokatit të Popullit, nuk arriti të zgjedhë zëvendësit e Avokatit të Popullit, si dhe nuk miratoi ndryshimet ligjore në Ligjin për Avokatin e Popullit.   
 
“Kuvendi me një vonesë të konsiderueshme, në fund të vitit arriti që të vë në rend dite propozimin për ndryshime në ligjin për Avokatin e Popullit dhe duke pasur parasysh kohën që ka në dispozicion kjo përbërje, jam skeptik se amendamentet do të miratohen.”, - u shpreh Avokati i Popullit, Naser Ziberi.
 
Avokati i Popullit konstatoi se janë shkelur edhe të drejtat e atyre që ndryshojnë dokumentet personale me emrin e ri shtetëror, veçanërisht atyre që kanë paraqitur kërkesë për lëshimin e dokumenteve të reja personale pas ndryshimit të emrit shtetëror dhe janë lëshuar me emrin e vjetër. Ziberi beson se këto shpenzime duhet t'i bartë shteti.
 
ERSAN PAJAZITI