Maqedoni
Administrata Gjyqësore: Kushtetuesja të sjellë vendim për pagat
27.12.2023 15:45
Anëtarët e Sindikatës së punëtorëve nga administrata e organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare...

Anëtarët e Sindikatës së punëtorëve nga administrata e organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare nuk tërhiqen në kërkesën për rritjen e pagave prej 30%. Në protestë para Gjykatës Kushtetuese, ata i bënë thirrje kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska dhe ministrit të Financave, Fatmir Besimi, që të tregojnë vullnet të mirë dhe bashkërisht të tejkalojnë problemin me pagat e tyre. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafllov dhe ai i Sindikatës së punëtorëve nga administrata, Tërpe Deanovski, drejtojnë gishtin tek kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk ka sjell vendim përfundimtar për rritjen e pagave të administratorëve.
“Për momentin kemi mbi katër ligje për sektorin publik ku shfrytëzohet termi “shtesa e pagave”, ku kolegët me vite me radhë marrin pagat, kështu që të miratohet vendimi i përkohshëm për ngrirjen e pagave të të punësuarëve për vetëm një term është diçka që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese duhet ta arsyetojë gjatë miratimit të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Çështja e dytë është se në rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese thuhet se pas miratimit të vendimit të përkohshëm duhet të merret vendim përfundimtar, ndërsa tani kaluan më shumë se 20 ditë nga miratimi i vendimit të përkohshëm dhe ne nuk e dimë se si do të veprojmë Gjykata Kushtetuese.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së punëtorëve nga administrata, Tërpe Deanovski.
“Sot erdhëm para Gjykatës Kushtetuese, sepse vlerësojmë se fajtori i vetëm për të gjitha problemet me pagat e të punësuarve në sektorin publik pas nënshkrimit të marrëveshjes kolektive në shtator është Gjykata Kushtetuese.”, - theksoi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
Bytyqi: Ekzekutivi pret vendimin e Kushtetueses
Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, me të njëjtin mendim si sindikalistët. Gjykata Kushtetuese është ajo e cila duhet të sjellë vendim përfundimtar për këtë çështje dhe në bazë të saj, më pas ekzekutivi do të rishikojë mundësitë e tjera për tejkalimin e kësaj çështjeje, tha Bytyqi.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vendim më i lartë në vend. Andaj themi se po shpresojmë se vendimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese që e miratoi, tani do të miratojë edhe vendimin e saj përfundimtar sa i përket interpretimit të termit për shtesën e pagave për një pjesë të të punësuarve në Ministrinë e Financave. Vlerësojmë se vetëm në këtë mënyrë do të mund të dimë se cili duhet të jetë hapi i radhës i Qeverisë për këtë çështje. Derisa Gjykata Kushtetuese nuk miraton vendimin e saj përfundimtar, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër të cilën ne mundemi të miratojmë pasi që përsëri, ndonjëri mund ta interpretojë si kushtetuese ose jo kushtetuese.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Gjykata Kushtetuese: Vendimi do të sillet në afat sa më të shkurtër
Gjykata Kushtetuese përmes një komunikate demanton të gjitha pretendimet dhe akuzat e sindikalisteve se anëtarët e kësaj gjykate nuk kanë “veshë” për kërkesën e tyre. Nuk ua mohojnë të drejtën për të shprehur pakënaqësinë e tyre përmes protestës, por kërkojnë vetëm të mos predikohet para kohe derisa sjellin vendimin përfundimtar. Gjykata Kushtetuese nuk e ka për qëllim t’i cenojë të drejtat e administratorëve, por të mbrojë kushtetushmërinë, që në këtë rast ekziston si dyshim. Nga Gjykata Kushtetuese bëjnë me dije se vendimin përfundimtar do të miratojnë në afat sa më të shkurtër, i parashikuar në rregulloren e punës së gjykatës. Ende nuk dihet nëse sindikalistët do të organizojnë grevë, në rast të mosplotësimit të kërkesës për rritjen e pagave të tyre prej 30%.
REXHEP QAMILI
