Maqedoni
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, debat i tensionuar për anëtarin e KShZ-së
27.12.2023 16:22
Në atmosferë të tensionuar u zhvillua mbledhja e 40-të e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime...

Në atmosferë të tensionuar u zhvillua mbledhja e 40-të e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, ku nuk u arrit miratimi i propozim-vendimit për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në bazë të propozimeve të partive politike. Fillimisht deputetja e partisë Alternativa, Safije Sadiku, e cila së bashku me Lëvizjen “Besa” kanë propozuar Abdush Demirin për anëtar të KShZ-së kërkoi procedurale, ku akuzoi kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe partitë e shumicës parlamentare nëpërmjet anëtarit në KShZ-së, po tentojnë të dëmtojnë opozitën shqiptare. Ajo kërkoi që kandidatura e Partisë Evropiane Demokratike të mos nxirret në votim.
“Anëtari i takon partive opozitare të cilat kanë dalë nga zgjedhjet e fundit, e jo partive satelit, të cilat janë formuar nga BDI-ja. E ju me këtë çfarë po bëni sot, po e shkelni ligjin, duke u munduar ta manipuloni me ligjin për zgjedhjen e anëtarit të që i takon bllokut opozitar d.m.th. u takon partive të cilat kanë dalë nga zgjedhjet e fundit, në këtë rast Lëvizja “Besa” dhe Alternativa. Nëse qëllimi i juaj është vendi vakant i KShZ-së, të mbetet i pakompletuar vetëm e vetëm të mos i takojë opozitës, atëherë kjo lidhet edhe me përpjekjet e manipulimit zgjedhor.”, - deklaroi deputetja e Alternativës, Safije Sadiku.
Por, ky propozim u hodh poshtë me 2 vota “Pro” dhe 7 “Kundër” këtij propozimi dhe kryetarja e Komisionit, Marija Georgievska, pa hapur debat, të dy këto propozime i vendosi në votim. Ky veprim ngjalli pakënaqësi tek deputetët e opozitës.
“Sot jeni kriminele e vërtetë dhe kjo nuk është hera e parë. A nuk ju vjen turp ta përmendni emrin e Zulfi Adilit, kush është Zulfi Adili, çfarë do të na thoni për atë, si erdhi si propozim, këto janë pazarllëqet e juaja, turp të keni. Nuk po i jepni të drejtë opozitës së vërtetë të shqiptarëve të kenë anëtar në KShZ-së.”, - u shpreh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
Këtë seancë në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, e quajti si cirk të orkestruar nga kryetari i Kuvendit dhe kryetarja e Komisionit.
“Kryetari i Parlamentit, finalen e lojës së tij për ta manipuluar procesin zgjedhor, ka dërguar letër dhe ka kërkuar mendim edhe nga partitë që janë formuara së fundmi e që është në kundërshtim me ligjin. Si rezultat i kësaj, sot Komisioni në vend se ta eliminojë atë kandidat duke u thirrur në ligjin dhe vetëm kandidatin tonë ta procedojë deri në seancë plenare që të votohet me dy të tretat. Sot Komisioni deshi ta hedhë në votime të dy kandidaturat që të shkojnë në plenum, më qëllim që të bllokohet edhe më tej formimi i votimit të anëtarit tonë të KShZ-së. E kemi bërë të ditur ne si parti opozitare se pjesëmarrjen e plotë të opozitës shqiptare, nuk mund të ketë zgjedhje në këtë vend.”, - deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Për momentin, KShZ-ja ka katër anëtarë të shumicës dhe dy të opozitës, ndërsa pasi kandidatët të kalojnë filtrin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, kalojnë në seancë parlamentare, ku do të duhet për atë kandidat të votojnë 2/3 e deputetëve në Kuvend apo së paku 80 deputetë. Për momentin kandidatë janë Abdush Demiri, i mbështetur nga koalicioni opozitar shqiptar dhe Zulfi Adili, i mbështetur nga Partia Demokratike Evropiane e Arijanit Hoxhës.
FITIM KRYEZIU
