Botë
Tiranë, shtyhet vendimi gjyqësor për Berishën
27.12.2023 17:17
Kur pritej që ish-kryeministrit Sali Berisha sot t’i viheshin prangat...

Kur pritej që ish-kryeministrit Sali Berisha sot t’i viheshin prangat, Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u detyrua ta shtyjë vendimin për të enjten. Shkak u bënë kërkesat e avokatëve të tij për të ndryshuar trupën gjykuese. Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka kërkuar për Berishën “Arrest shtëpie” dhe banesa t’i mbikëqyret nga efektivë policie, por ish-kryeministri pretendon se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë dhe se gjyqi është politikë.
Por sot, Gjykata e Lartë vendosi të zhbëjë vendimin që i jepte vulën dhe Logon e PD-së, Lulzim Bashës dhe e ktheu edhe njëherë për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit me një trupë tjetër gjykuese.
Vendimit i parapriu një protestë e Sali Berishës para Gjykatës së Lartë, që e akuzoi se është e kapur nga kryeministri, Edi Rama.
Më pas, Berisha bëri një ndalesë së shkurtër para selisë së Partisë Socialiste dhe më pas iu drejtua selisë së Rithemelimit. Nga aty njoftoi hapjen e një makinerie të re për rikthimin e Pluralizmit.
“Gjykata e Lartë nuk u ngrit në Lartësinë e misionit të saj që të rrëzojë përfundimisht vendimin e apelit. Aktualisht në fuqi është vendimi i shkallës së parë sepse Gjykata e Lartë nuk e çoi për rigjykim në shkallën e parë por në Apel,duke mbajtur qëndrim disiplinues ndaj treshes që e ka dhënë këtë vendim. Kthehemi siç kemi qenë në fillim kur vendosi gjykata, ky është realiteti. Çdo interpretim tjetër është I gabuar. Gjykata e lartë për mendimin tim, vendim tjetër nuk mund të njihte përveçse do gjykonte në lartësi, përveçse njohjen përfundimtare. Them Gjykata e Lartë ka disiplinuar, po të mos kishte probleme të rënda, por fati që u detyrua të përjashtojë trupën pastaj…kaq skandaloze ishte gjendja saqë nuk mund të përtypej. Është në fuqi gjersa të gjykohet tani, të dyshosh se Gjykata e Lartë nuk kontrollohet nga Edi Rama, mos e pyet.”- tha Berisha para gazetarëve.
Në fund, paralajmëroi që Edi Rama do të përballet me drejtësinë për krimet shtetërore të tij.
LULJETA NDOKA
