Maqedoni
BDI kërkon të jetë pjesë e dialogut me mbikëqyrje ndërkombëtarëve
25.03.2015 18:20
Në vigjilje të kongresit tematik, i thirrur për më datë 28 dhe 29 mars në Shkup, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim u mblodh sot në Gostivar...

Në vigjilje të kongresit tematik, i thirrur për më datë 28 dhe 29 mars në Shkup, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim u mblodh sot në Gostivar për të shqyrtuar organizimin e kongresit.
Në këtë mbledhje, e dyta që mbahet jashtë selisë së partisë në Tetovë, në rend dite për diskutim ka qenë kongresi tematik i kësaj fundjave dhe situata aktuale politike. Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi tha se situata politike duhet të ndiqet me urtësi dhe mençuri dhe se kongresit do ti do i propozohet që edhe BDI-ja të jetë pjesë e dialogut me mbikëqyrje ndërkombëtarëve.
“Situata aktuale politike në vend, është e palakueshme për vendin dhe konsiderohet që prish imazhin politik të vendit jo vetëm në nivelin ndërkombëtar por rrezikon edhe shumë aspekte të tjera në vend dhe rajon, prandaj vlerësohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim që kjo situatë duhet të ndiqet me urtësi dhe me mençuri. Kongresit do t’i propozohet që në fazën e dytë të bisedimeve BDI të jetë pjesë e dialogut që do të zhvillohet me mbikëqyrje ndërkombëtare”, tha Ademi.
Sa i përket Kongresi tematik, delegatët do të kenë mundësi të ndjekin prezantimet e mysafirëve në tre panele plotësuese të punimeve të kongresit, ku do të trajtohen integrimet euroatlantike dhe fqinjësia e mirë, qeverisja e mirë dhe demokracia konsensuale dhe zhvillimi ekonomik, si dhe mirëqenia sociale.
“Në pikën e parë u miratuan të gjitha materialet dhe aspektet e tjera që kanë të bëjnë me organizimin e kongresit tematik. Sigurisht se u vlerësuar lartë organizimi i këtij kongresi në këtë situatë, por gjithashtu edhe marrja e përgjegjësive nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Në kongres do të marrin pjesë edhe ekspertë ose do të thosha personalitete të shquara botërore të cilët e njohin situatën politike në vend por edhe në rajon. Tema e dytë është qeverisja e mirë, marrëveshja e Ohrit dhe demokracia konsensuale, ku gjithashtu do të diskutojnë ekspertë ndërkombëtarë dhe të vendit. Tema e tretë që do të zhvillohet në ditën e dytë të kongresit është zhvillimi ekonomik dhe mundësitë e barabarta, ku po ashtu do të kemi ekspertë ndërkombëtar. Me punimet e veta do të paraqiten edhe kryetarët e tre dhomave ekonomike të Maqedonisë. Në pjesën e fundit do të jetë seanca e mbyllur ku do të diskutojnë delegatët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Do të orientojmë një dokument apo rezolutë për orientimin politik të Bashkimit Demokratik për Integrim”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.
Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm miratuan edhe propozimin e kryetarit Ali Ahmeti që Nikolas Bigman të shpallet anëtar nderi i BDI-së duke e vlerësuan lartë kontributin e Bigmanit gjatë themelimit të kësaj partie.
LULZIM HAZIRI
