Maqedoni
Kuvend, deputetët miratuan buxhetin për vitin 2024, “përplasje” midis deputetëve rreth propozim-buxhetit
27.12.2023 18:23
Me 63 vota Kuvendi miratoi buxhetin në vlerë prej 5,5 miliardë euro për vitin 2024...

Me 63 vota Kuvendi miratoi buxhetin në vlerë prej 5,5 miliardë euro për vitin 2024 pas përplasjeve disaditëshe midis opozitës dhe pushtetit. Në ditën e fundit të debatit, deputetët opozitarë e quajtën buxhet parazgjedhor për të blerë qytetarët, e jo për nevojat e qytetarëve.
Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, buxheti i 2024-ës në përqindje të lartë do të mbushet nga tatimet, pasi tatimi i fitimit rritet për 12%, po aq edhe TVSh-ja, si dhe shpenzimet e importit dhe akcizat. Paralelisht me këtë, opozita konsideron se ka shkurtime të shumta në arsim duke ndikuar në largimin e të rinjve. Kritika kishte edhe për mosmbështetjen e pensionistëve.
“Kemi mbi 97 mijë pensionistë, të cilët jetojnë me pensione prej 12 mijë e 300 denarë. A nuk është kjo varfëri? Kjo Qeveri a nuk premtoi jetë për të gjithë, a nuk u betua se do të punojë dhe tani të gjejë mekanizëm dhe të ndihmojë pensionistët. Ne jemi dëshmitarë se kjo Qeveri, në këtë shtet ndihmon kriminelët që të rrisin krimin dhe të mos ndëshkohen, në vend se të ndihmojë pensionistët.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Beti Stamenkoska.
Nga LSDM-ja me kundër akuza se VMRO-ja ka dëmtuar pensionistët, pasi projektimi aktual është vizionar në më shumë fusha.
“Mos i nënçmoni pensionistët. Ata mbajnë mend mirë se në vitin 2013, vetë pushteti i VMRO-DPMNE-së suspendoi nenin ku kishte harmonizim të pensioneve dhe në vitin 2014, 2015 dhe 2016 vetëm nga një herë iu hidhte thërrime prej 600 denarëve pensionistëve. T’ju them se ne punojmë në mënyrë sistematike dhe do të ketë para për rroga dhe pensione në të ardhmen.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.
Të hyrat totale për vitin 2024 janë planifikuar në nivelin prej 310,1 miliardë denarë dhe janë 10% më të larta në krahasim me vitin 2023, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivelin prej 343,6 miliardë denarë ose rreth 5,8 për qind më të larta në krahasim me vitin 2023. 45,2 miliardë denarë do të dedikohen për investime kapitale.
MERAL ISMAILI
