Maqedoni
Qeveria, 1,117 punësime të përhershme në Shëndetësi
28.12.2023 14:18
1,117 personave që punojnë me kohë të caktuar si staf mjekësor dhe teknik ndihmës...

1,117 personave që punojnë me kohë të caktuar si staf mjekësor dhe teknik ndihmës, higjienist dhe shofer, me vendim të Qeverisë marrëdhënia e punës do t’u shndërrohet në kohë të pacaktuar, informojnë kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministrat e Shëndetësisë dhe Financave, Fatmir Mexhiti dhe Fatmir Besimi.
“Sot po e zgjidhim statusin e 1,117 punonjësve në Shëndetësi, personelit mjekësor, personelit teknik ndihmës, higjienistëve dhe shoferëve, me vendim të Qeverisë që hap mundësinë e punësimit me kohë të pacaktuar në institucionet shëndetësore publike. Mjetet për punësim të përhershëm të miratuar sigurohen në kuadër të Institucioneve Shëndetësore Publike dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
“Arritëm që të harmonizojmë numrat që të mund të realizojmë një projekt kaq të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë dhe të gjithë qytetarët në cilësinë e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në vendin tonë, një nga komponentët kryesorë të kapitalit human bashkë me arsimin dhe mbrojtjen sociale.”, - u shpreh ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Kryeministri Kovaçevski njoftoi se në mesin e personave që do të pajisen me vendime janë personat për të cilët është paraqitur kërkesë nga institucionet shëndetësore. Po ashtu theksoi se Qeveria ka qenë e vetëdijshme për mungesën e personelit në mjekësi, andaj po bën përpjekje që të zvogëlohen këto boshllëqet.
“Janë shkurtuar procedurat e punësimit në institucionet shëndetësore publike, për të plotësuar më shpejt pozicionet e liruara për shkak të pensionimit ose për shkak të punonjësve shëndetësor që largohen nga institucionet shëndetësore. Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e largimit të punonjësve shëndetësorë dhe po bëjmë gjithçka për t'i mbajtur ata këtu.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Në vendin tonë ka rreth 2,500 punonjës shëndetësorë, përfshirë infermierë, laborantë, fizioterapistë dhe administratorë, punojnë në spitale me kontratë pune pa sigurim shëndetësor dhe pensional dhe me një pagë minimale. Si pasojë e këtyre problemeve, një pjesë e madhe e stafit mjekësor është larguar nga shteti, për të punuar jashtë vendit.
Sipas të dhënave të fundit të Shoqatës së Mjekëve, për një dekadë Maqedonia ka humbur 2,000 mjekë dhe pritet që investimi në shëndetësi, si dhe ky vendim i Qeverisë të ndikojë në parandalimin e kësaj dukurie.
SANIJE DURAKU
