Botë

Sveçla: Siguria, sfida kryesore e Policisë së Kosovës

28.12.2023 14:40

Kosova e me atë edhe Policia e Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas...

Kosova e me atë edhe Policia e Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas, sfidën kryesore e ka pasur atë të sigurisë nga Serbia. Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke veçuar sidomos rastin e Banjskës, kur siç tha ai grupi terrorist serb në krye me kriminelin, Milan Radoiçiq, sulmuan Policinë e Kosovës.   
                                                    
“Vitin që po lëmë pas u ballafaquam me sulme të njëpasnjëshme të strukturave të Serbisë ndaj zyrtarëve tanë policorë me kidnapim të kolegëve tuaj, me sulme kundër rendit tonë kushtetues dhe së fundmi me sulm terrorist që morri enjten e kolegut, heroit, Afrim Bunjaku.”, - deklaroi Xhelal Sveçla nga MPB-ja e Kosovës.     
                                        
Sveçla tha se sulmet e tilla nuk e zmbrapsin Policinë e Kosovës, derisa në luftën kundër terrorizmit nuk kanë kompromis. 
 
Ambasadori rus në Beograd: Mund të ketë gjakderdhje në Kosovë
 
Ndërkohë ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharçenko, ka thënë se mund të ketë gjakderdhje në Kosovë. Në një intervistë për të përditshmen ruse “Izvestia”, ai ka thënë se megjithatë, luftë në shkallë të gjerë nuk mund të ketë, sepse nuk do ta tolerojë Perëndimi.             
                                  
“Mendoj se nuk përjashtohen shpërthimet e konflikteve, acarimet, nuk përjashtohet as gjakderdhja. Por, Perëndimi që ka mision atje dhe kontrollon situatën në Kosovë, nuk do të lejojë një luftë në shkallë të gjerë, sepse do të ishte kundërproduktive dhe e papërballueshme për Bashkimin Evropian. Për Perëndimin, qoftë Bashkimi Evropian, Uashingtoni apo NATO-ja, gjëja më e rëndësishme është ruajtja e një situate të përhershme para krizës që iu mundëson të ushtrojë presion mbi Beogradin gjatë gjithë kohës.”, ka deklaruar ambasadori rus. Sipas tij, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet në kuadër të OKB-së, pasi Rezoluta 1244 mbetet ende në fuqi.
 
GYLTENE SINANI