Maqedoni
Rritet çmimi blerës i duhanit për 10%, Nikollovski: Vit i suksesshëm me shpërndarjen e subvencioneve
28.12.2023 15:02
Të gjitha kompanitë blerëse prej sot do të blejnë duhanin e prodhuar vendor me çmim...

Të gjitha kompanitë blerëse prej sot do të blejnë duhanin e prodhuar vendor me çmim më të lartë prej dhjetë për qind, njoftoi ministri i Bujëqisësë, Ljupço Nikollovski. Përveç kësaj, duhan prodhuesit do të marrin 20-30 denarë tjera shtesë subvencion, ndërsa nga viti i ardhshëm parashikohet që të fitojnë dhe “naftë të gjelbër”, si dhe 6,000 denarë mbështetje për një hektarë tokë bujqësore.
“Në bazë të informacioneve që kam unë nga kompanitë më të mëdha blerëse të duhanit, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kontaktuar edhe me mua gjatë ditës së djeshme, më kanë informuar se të gjithë kanë ndjekur politikën e rritjes së çmimit të duhanit, respektivisht publikuan çmimoren e re për blerjen e duhanit për 10%, ndërsa shteti, thamë se po ashtu do t’i mbështet prodhuesit e duhanit me subvencion prej 100-110 denarë për kilogram duhan të klasës së parë, do të vendosim edhe subvencion bazë prej 6 mijë denarëve për prodhuesit e duhanit për vitin e ardhshëm, ku ata njëherit do të fitojnë të drejtën për t’u siguruar edhe me naftë të gjelbër.”, - deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski.
Në bazë të modelit të ri të subvencionimit të bujqve, parashikohet që rreth 40 mijë bujq deri në fund të këtij viti t’u paguhen subvencionet e parashikuara prej 30% për vitin e ardhshëm, ndërsa ata po ashtu kanë të drejtë deri më 31 dhjetor të aplikojnë edhe për mbështetjen financiare shtesë që parashikohet për vitin e ardhshëm, sqaroi Nikollovski.
Ai po ashtu rumbullakësoi këtë vit, si të suksesshëm, me shpërndarjen e 127 milion euro mbështetje financiare drejtpërdrejt për bujqit, me numër rekord të aplikimeve për programin për zhvillim rajonal. Gjatë këtij viti, janë dhënë një miliard denarë tjera mbështetje për sigurimin e bagëtisë të blegtorëve, si dhe shumë mbështetje financiare për prodhuesit e vegjël, për gratë bujqësore dhe kompanitë për përpunimin e frutave.
Gjatë vitit që po lemë pas Ministria e Bujqësisë me sukses ka zbatuar programin IPARD, ku sipas Nikollovskit, vendi radhitet ndër shfrytëzuesit më të mëdhenj të fondeve IPARD. Fokusi i Ministrisë së Bujqësisë për vitin e ardhshëm do të jetë në rritjen e subvencioneve për blegtorët për 300%, paralajmëroi Nikollovski.
REXHEP QAMILI
