Intensifikohen sulmet mes Izraelit – Hezbullahut, shqetësime për zgjerimin e luftës në Lindjen e Mesme

28.12.2023 15:38

Edhe një mëngjes tjetër me zgjimin e zhurmës së bombave....

Edhe një mëngjes tjetër me zgjimin e zhurmës së bombave shkatërruese në Gaza. 50 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pas një ofensive të fuqishme të Izraelit nga toka, deti dhe ajri.

Shkëmbimi i zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban po intensifikohet, e me këtë po rriten shqetësimet edhe për zgjerimin e luftës në Lindjen e Mesme.

Tel Aviv njoftoi se është në gjendje gatishmërie për t’u mbrojtur nga sulmet. Ushtria izraelite ka konfirmuar se është duke u zhvilluar një operacion tokësor kundër Hamasit në periferi të Kan Junisit, ku po zhvillohet një luftë e vërtetë.

"Ne kemi eliminuar mijëra terroristë. Ne kemi dëmtuar fuqishëm aftësinë komanduese dhe kontrolluese te lansimit në Hamas. E stabilizuam mbrojtjen. Do të vazhdojmë të kujdesemi për infrastrukturën nëntokësore. Filluam fuqishëm dhe tani duhet të vazhdojmë. Hapat e ardhshëm në luftë do të jenë gjithashtu të fuqishme dhe befasuese. Fushata do të vazhdojë dhe do të zgjerohet sipas nevojës, në qendra shtesë dhe në fronte të reja.”, - deklaroi ministri i Kabinetit Ushtarak të Izraelit, Beni Gantz.

“Forcat tona po luftojnë në lokacione qendrore në Gaza. Ne eliminuam shumë terroristë dhe shkatërruam infrastrukturën terroriste. Po luftojmë gjithashtu në Kan Junis, qendra terroriste e Hamasit, ku kemi zgjeruar operacionin. Kemi dislokuar një divizion tjetër ushtarak në zonë dhe vazhdojmë të operojmë duke përdorur metoda luftarake tokësore dhe nëntokësore.", - theksoi  zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari.

Ndërkohë, presidenti francez, Makron, në një bisedë telefonike me kryeministrin Netanjahu, kërkoi një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Edhe OBSh-ja përsëriti thirrjen ndaj komunitetit ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të zbutur rrezikun serioz me të cilin përballen njerëzit në enklavë. Dhjetëra mijëra njerëz kanë braktisur zonat e goditura në Kan Junis, duke u nisur në këmbë ose me automjete.

“Shtëpitë tona u shkatërruan dhe djali im ishte dëshmor. Po iknim nga bombardimi. Nuk ka strehim të mirë. Ne jemi një objektiv në çdo zonë për të shpëtuar.”, - u shpreh një qytetar i zhvendosur nga qyteti i Gazës.

“Ne kërkojmë vetëm një gjë, ndaloni këtë luftë, ndaloni vuajtjet e njerëzve. Është për të ardhur keq, fëmijët po flenë në të ftohtë.”, - theksoi një qytetar i zhvendosur nga Al-Buraj.

Lufta në Gazë ua ka marrë jetën më shumë se 21,000 palestinezëve dhe ka lënë më shumë se 55,000 të plagosur, si pasojë e ofensivës izraelite. (Belinda Koka Ademi,  TVM2)