Kuvend, Xhaferi: Kushtetuta dhe KShZ-ja, pa u përmbyllur

28.12.2023 16:20

Kuvendi përmbyll vitin me një numër të madh....

Kuvendi përmbyll vitin me një numër të madh të ligjeve të miratuara, në përjashtim të ndryshimeve kushtetuese dhe kompletimin e KShZ-së, si ndër më të rëndësishmet, vlerëson kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Sipas tij ndryshimet kushtetuese janë të hapura, por që ende nuk është siguruar shumica prej dy të tretave të votave për t’i votuar.

Ndërkaq për zgjedhjen e anëtarit të KShZ-së, Xhaferi tha se ka kohë që të zgjidhet anëtari i KShZ-së në seancë plenare, por nëse kjo nuk ndodh, sipas tij mund të shpallet konkurs i ri.

“Ka kohë që të shpallet konkurs i ri. Por edhe në qoftë se nuk zgjidhet kandidat i ri i KShZ-së, kjo nuk do të ndikojë komisionin që të punojë, pasi edhe nëse zgjidhet, kjo s’do të ndikonte në raportin e anëtarëve. Tani raporti i anëtarëve është katër nga Qeveria, dy nga opozita dhe nëse zgjidhet do të ishin katër nga Qeveria, tre nga opozita.”, thotë Xhaferi.

Ligjet që nuk kanë arritur të miratohen këtë vit, mbetet shumë pak kohë për t’u miratuar vitin që vjen edhe pse Kuvendi do të punojë deri në nisjen e fushatës, në fillim të prillit.

Xhaferi: 61 vota për Qeverinë teknike

Koordinatorët e grupeve parlamentare do të mblidhen pas festës së Krishtlindjes dhe më pas në mënyrë intensive do të nisin përgatitjet për Qeverinë teknike.

Kah fundi i janarit, më 28 janar do të zgjidhet Qeveria teknike për realizimin e zgjedhjeve, ndërkaq kah mesi i shkurtit do të shpallen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Ndërkohë që Xhaferi do të jetë kryeministër teknik.

“Fillimisht do të jetë dorëheqja ime, pastaj seancë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe një seancë tjetër për zgjedhjen e Qeverisë. Për të zgjedhur Qeverinë nevojiten 61 vota deputetësh. Po në seancën pas së cilës konstatohet mbarimi i mandatit të kryetarit të Kuvendit, rendi i ditës plotësohet me propozimin e 20 deputetëve për zgjedhjen e një të riu. Kush mendon të hyjë në ngërç, mund të ndodhë dhe të mos sigurojë 61 vota. Kujt do t'i përshtatej kjo?”,  është shprehur Xhaferi në takimin me gazetarë.

Xhaferi thotë se është i gatshëm që të kandidojë edhe për mandatin e shtatë si deputet, por kjo do të varet nga vendimet partiake. Xhaferi me zhvendosjen në ekzekutiv do të pasohet nga Jovan Mitreski nga LSDM-ja. (Meral Ismaili, TVM2)