Spitali “8 Shtatori “ në Shkup furnizohet me pajisje të reja mjekësore
Spitali i përgjithshëm “8 Shtatori”....

Spitali i përgjithshëm “8 Shtatori” është furnizuar me pajisje të reja mjekësore të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë, informon ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Ai thekson se bëhet fjalë për një sistem navigimi për departamentin e otorinolaringologjisë dhe bazës së kafkës, i cili është aparat i parë i llojit të tillë në vendin tonë dhe më gjerë në rajon, vlera e së cilës është 12 milionë denarë.
“Në mënyrë të sigurt mund të kryhen operacionet më komplekse në fushën e rinosinusologjisë dhe bazës së trurit, si dhe mund të trajtohen kirurgjikisht tumoret në këtë zonë. Pacientët nuk do të udhëzohen më për mjekim jashtë vendit, siç ka qenë deri më tani dhe tendenca është që ky institucion shëndetësor të kthehet në një qendër rajonale për këtë fushë. Është blerë edhe sistemi i ri HD për procedurat endoskopike me gastroskop dhe kolonoskop, me vlerë të përgjithshme të 6,2 milionë denarësh me çka dukshëm përmirësohen shërbimet shëndetësore në seksionin e procedurave endoskopike në spitalin “8 Shtatori”.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Drejtori i spitalit “8 Shtatori” informon se pas vitit të ri, në këtë spital do të fillojnë të punojnë 3 ambulanca për pacientët e Onkologjisë që do të marrin terapi citostatike.
“Janë tre ambulanca që do të punojnë në ndërrimin e parë deri në orën 16:00. Pacientët do të dërgohen që të trajtohen tek ne dhe ne kemi dy mjekë onkologë që do të kujdesen për këta pacientë.”, - theksoi drejtori i spitalit “8 Shtatori”, Hristian Kostov.
Mexhiti po ashtu thekson se janë siguruar edhe 5 aparate të reja për hemodializë me vlerë të përgjithshme prej 5,3 milion denarë dhe janë vënë në funksion në repartin e nevrologjisë, që përmirësojnë ndjeshëm trajtimin e hemodializës në spitalin “8 Shtatori”. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
