Botë

ShBA, Trampi hiqet nga fleta e votimit në Maine

29.12.2023 10:14

Një goditje e re për fushatën e Donald Trampit...

Pas Kolorados, edhe shteti Maine e hoqi atë nga votimi presidencial, për shkak të trazirave në Kapitol tre vite më parë. Duke ndjekur hapat e Kolorados, sekretari demokrat i shtetit në Maine thirri një klauzolë në Kushtetutë që ndalon zyrtarët që kanë marrë pjesë në "kryengritje" të mbajnë poste.
 
Megjithatë, të dy vendimet janë pezulluar ndërkohë që po zhvillohet procesi gjyqësor, kurse për fatin e Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale do të vendosë Gjykata e Lartë e Amerikës.
 
“Për të qenë i qartë, ai mbetet në fletën e votimit në Kolorado dhe Maine. Si sekretari i shtetit në Maine, ashtu edhe Gjykata e Lartë e Kolorados kanë pezulluar vendimet e tyre deri në apelimin e çështjes. Gjykata e Lartë e ShBA-së do të marrë vendimin përfundimtar nëse Trampi mund të mbetet në fletëvotim në këto dy raste.”, - theksoi Nik Rikardi nga “Associated Press”. 
 
Fushata e Trampit tha se do të apelonte vendimin në gjykatat shtetërore në Maine, si dhe në Kolorado. Më herët, kundërshtarët e Trampit nga Partia Republikane shprehën pakënaqësi për vendimet e gjykatës. Sipas tyre, vetëm votuesit duhet të vendosin se kush duhet të jetë kandidati për kreun e Shtëpisë së Bardhë.
 
ERSAN PAJAZITI