Maqedoni
Petrovska: Armata e RMV-së, moderne dhe bashkëkohore
29.12.2023 14:41
Në vitin 2024 investimet në Armatën e vendit do të rriten, paralajmëron ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska...

Në vitin 2024 investimet në Armatën e vendit do të rriten, paralajmëron ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, duke theksuar se buxheti për Armatën do të jetë 2% e BPV-së. Sipas saj, Armata e RMV-së është e pajisur me pajisjet më moderne bashkëkohore, si anëtare e NATO-s.
“Sot Armata është moderne bashkëkohore, viti 2023 ishte vit i sfidave të rënda, por ku u shënuan shumë suksese, sidomos në aktivitetet e përbashkëta, të cilat i kishim me armatat më besnike të NATO-s dhe pjesëmarrja në misionet paqësuese. Të jesh ushtarë nuk është e lehtë dhe pikërisht për këtë jeni zgjedhur ju si më të përgatiturit. Nga 1,144 kandidatë të cilët kanë aplikuar dhe pas shumë testimeve, ju jeni zgjedhur si më të përgatiturit.”, - deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
Ministrja Petrovska këtë e theksoi në promovimin e 150 ushtarëve të rinj profesionistë, të cilët që nga sot do të jenë pjesë e ushtrisë profesionale. Profesioni i ushtarit profesionistë viteve të fundit është shndërruar si një nga profesionet më të dëshiruar për të rinjtë deri në moshën 25 vjeçare dhe kjo sipas ministres Petrovska, është bërë sepse në Armatë janë përmirësuar dukshëm kushtet.
Në vitin 2023 janë pranuar gjithsej 300 ushtarë të rinj profesionistë, ndërsa nga muaji janar pritet të shpallet konkurs i ri për ushtarët profesionistë. Të gjithë ato të cilët u pranuan u shprehën të impresionuar me pritjen që i është bërë dhe me kushtet të cilat i kanë hasur në Armatë.
FITIM KRYEZIU
