Maqedoni

Siguria, ulet kriminaliteti për 8%, kamera sigurie në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë

29.12.2023 14:59

Ulje të kriminalitetit për 8%, rritje të efikasitetit në luftën kundër tregtisë me narkotikë...

Ulje të kriminalitetit për 8%, rritje të efikasitetit në luftën kundër tregtisë me narkotikë dhe ulje të ndjeshme të vjedhjeve, ishin disa nga arritjet e Policisë për vitin që po lëmë pas.
 
Sipas ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski, Policia ka tejkaluar të arriturat e vitit të kaluar në fushën e sigurisë, që sipas tij janë më të mirat në 30 vitet e fundit. Spasovski foli dhe për rritje të besimit të qytetarëve në polici për mbi 50%. 
 
“Mesatarja e sivjetme flet për ulje të kriminalitetit për 8% kundrejt përqindjes së vitit të kaluar prej 6%, si pasojë e efikasitetit të rritur në Polici prej rreth 60%. Janë shkatërruar rreth 13 grupe të organizuara kriminale, me pjesëmarrje të mbi 100 personave për tregti të jashtëligjshme me narkotikë, armë, kontrabandë me emigrantë dhe trashëgimi kulturore, por edhe keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash. Në pjesën e parandalimit të korrupsionit zbuluam rreth 120 vepra penale të renda prej 350 milion denarë.”, - theksoi ministri për punë të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Shkupi, Kumanova dhe Tetova së shpejti do të pajisen me kamera sigurie, njofton Spasovski. Kamerat për kontroll të sigurisë në komunikacion, sipas ministrit do të vendosen në autostrada, por do të ketë sisteme mobile që mund të vendosen kudo në vend.
 
Spasovski nuk specifikoi se sa kanë kushtuar të njëjtat dhe nga cilat kompani është kryer furnizimi. Kamerat e sigurisë do të nisin funksionimin atëherë kur Policia do ta gjykojë si të nevojshme.
 
MERAL ISMAILI