Maqedoni
Këshilli Gjyqësor, Mustafa: Kërkoj shkarkimin e Besa Ademit
29.12.2023 15:17
Në seancë publike të Këshillit Gjyqësor u përplasën argumentet...

Në seancë publike të Këshillit Gjyqësor u përplasën argumentet për Iniciativën për përgjegjësi të kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, ku kërkohet shkarkimi i saj. Sipas iniciuesit të kësaj iniciative anëtarit, Milazim Mustafa, Ademi nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për prezencë në 21 seancat e mbajtura të Këshillit.
Akuzon se Ademi nuk i është përgjigjur as ftesës së kryetarit të Këshillit për takim, për të diskutuar për qëndrimet e Ademit në intervistë ku ka deklaruar se Gjykata Supreme ballafaqohet me presione politike. Sipas tij, me këtë sjellje, Ademi ka treguar kulture joprofesionale dhe juridike ndaj institucioneve në sistemin gjyqësor që ndikon në uljen e besimit të qytetarëve në Gjyqësor.
“Kryetarja e Gjykatës Supreme u jep prioritet të gjitha obligimeve përkundër obligimit ligjor të marrë pjesë në seancat e Këshillit Gjyqësor si anëtarë sipas funksionit. Kjo posaçërisht kur në këtë periudhë është e nevojshme dhe e rëndësishme prania e saj, sidomos në situatë kur vendi i anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga Gjykata Supreme është i zbrazët.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa.
Ademi: Epilogu i rastit cakton ardhmërinë e Gjyqësorit
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, para Komisionit tha se epilogu i kësaj procedurë do të caktojë ardhmërinë e Gjyqësorit në RMV. Në akuzat se ajo ka injoruar takimin me Kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Ademi tha se atë e ka bërë për shkak të obligimeve, ndërsa kontaktet e radhës kanë qenë të ndaluara.
“Sot dhe në periudhën e ardhshme, pikërisht rezultati i kësaj procedure do ta caktojë ardhmërinë e Gjyqësorit në RMV. Këshilli Gjyqësor ka kompetencë të ruajë reputacionin e Gjyqësorit dhe të garantojë pavarësinë e tij, të ketë rol preventive të mos ndodhin ndikimet politike. Përkundrazi, unë në intervistën time garantoj për integritetin tim dhe gjykatësve në Gjykatën Supreme dhe se nuk do të lejojmë çfarëdo ndikime të jashtme.”, - u shpreh kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.
Avokatja e Besa Ademit, Pavlina Jakimovska, para Komisionit disiplinor tha se puna e Ademit është vlerësuar pozitivisht si nga Raporti i Këshillit Gjyqësor, ashtu edhe nga raporti i Bashkimit Evropian, ku nuk ka marrë asnjë vërejtje. Ademi, njëjtë sikurse edhe ministri i Drejtësisë, janë anëtarë sipas funksionit dhe nuk kanë të drejtë votë me ç’rast nuk ka pasur si të ndikojë në punën e Këshillit Gjyqësor.
“Për ne është ditë historike për arsye se rezultati i kësaj procedure do të jetë udhërrëfyes nëpër të cilën do të lëvizë Gjyqësori në të ardhmen. Dikush do të thotë se kjo është një luftë e Besa Ademit si kryetare e Gjykatës Supreme, por kjo është luftë e gjithë Gjyqësorit për pavarësinë e saj.”, - theksoi avokatja, Pavlina Jakimovska.
Njëra ndër rekomandimet e Komisionit vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor është që kryetari i Gjykatës Supreme të mos jetë më tej anëtar i këtij Këshilli. Mbrojtja e Ademit tha se edhe deri më tani ka pasur ankesa nga gjykatës për ndikime politike, por Këshilli nuk ka reaguar.
Këshillit Gjyqësor i duhen 15 ditë të formulojë raport, ndërsa më pas të thërrasë në votim Këshillin Gjyqësor për të konstatuar përgjegjësi dhe nëse do të shkarkohet kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, apo jo.
FLORIJE KAMBERI
