Turqi, arrestohen 29 militantë të Shtetit Islamik

29.12.2023 16:41

Autoritetet turke kanë arrestuar 29 persona....

Autoritetet turke kanë arrestuar 29 persona që dyshohet se kanë lidhje me grupin militant, Shteti Islamik. Sipas Ministrisë së Brendshme turke, ata besohet se ishin përfshirë në operacionet e IS-it në nëntë province.

Të dyshuarit po planifikonin të sulmonin kisha dhe sinagoga në Stamboll, theksoi Ministria e Brendshme turke nëpërmjet një postimi në platformën X.

Duke cituar burime të sigurisë, mediat turke njoftuan se edhe tre të dyshuar të lidhur me 29 të arrestuarit, janë kapur po ashtu gjatë operacionit. Siç njoftohet, tre pjesëtarë të lartë të IS-it u arrestuan, teksa njëri prej tyre raportohet se po planifikonte një sulm ndaj Ambasadës së Irakut në Ankara.

Autoritetet turke kanë intensifikuar operacionet kundër militantëve të IS-it dhe militantëve kurdë javëve të fundit, pasi militantët kurdë shpërthyen një bombë afër ndërtesave qeveritare në Ankara më një tetor.