Gjykata Administrative: Shkarkimi i Damevës është joligjor
Mënyra e shkarkimit të ish-kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva....

Mënyra e shkarkimit të ish-kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, është vendim në kundërshtim me ligjin për të cilin nuk janë dhënë arsyetime.
Ky është vendimi i Gjykatës Administrative pas ankesës së Damevës, konfirmon për TVM2 kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini.
Vendimi akoma nuk është publikuar në mënyrë të shkruar për të parë detajet e vendimit. Sejdini ka deklaruar se në këtë proces nuk ka vend për ankesa dhe se Dameva praktikisht duhet të kthehet në vendin e kryetares që i është marrë në mënyrë joligjore.
Kujtojmë se në prill të këtij viti, në një atmosferë të tensionuar, anëtari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, me 7 vota shkarkoi Damevën, që si pasojë kishte reagime të ashpra në opinion nga ekspertë vendorë, diplomatë dhe raporte relevante ndërkombëtare.
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga përshëndet vendimin e Gjykatës Administrative, me të cilën anulohet si i paligjshëm vendimi për shkarkimin e Vesna Damevës nga kryetarja e Këshillit Gjyqësor.
“Ky vendim vërteton të gjitha pretendimet e ministrit, të cilat ai i kishte dhënë në periudhën e kaluar për punën dhe veprimet e Këshillit Gjyqësor, gjë që dëshmon se ky institucion ka nevojë për reforma. Vendimi i Gjykatës Administrative ngjall shpresë për rikthimin e besimit tek institucionet dhe respektimin e parimit të shtetit ligjor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë. (Florije Kamberi, TVM2)
