Maqedoni

Punësimet në sistemin e mjeksor, LSDM: Investojmë në kuadrot mjekësore

30.12.2023 15:15

Vendimi i fundit i miratuar i Qeverisë për punësimin e gjithsej 1.117 personave në institucionet publike shëndetësore në kohë të pacaktuar...

Vendimi i fundit i miratuar i Qeverisë për punësimin e gjithsej 1.117 personave në institucionet publike shëndetësore në kohë të pacaktuar, ka përplasur LSDM dhe VMRO-DPMNE-në. Nga LSDM kanë thekësuar se këto janë punë të rëndësishme, për të gjithë sistemin shëndetësor dhe për përmirësimin e kushteve në shëndetësinë maqedonase. Sipas deputetit të LSDM-së Nenad Kociç, investimi në kapitalin njerëzor, është vlera jonë më e madhe. 
 
“Këto vendime janë vazhdimësi e vendimeve në shëndetësi, të cilat përmirësojnë kushtet për punëtorët shëndetësorë, sepse punonjës shëndetësorë të kënaqur do të thotë pacientë të kënaqur. Natyrisht këtu përfshihen edhe politikat e LSDM-së për rritjen e pagave, trajnimin e punëtorëve shëndetësorë dhe projektet kapitale që kanë përmirësuar kushtet në shëndetësi. Ne kemi investuar në dinjitetin e mjekëve dhe stafit mjekësor. Rritëm pagën bazë të mjekëve specialistë me 40 për qind, të infermierëve me 23 për qind, të mjekëve të përgjithshëm me 25 për qind dhe të punonjësve të shëndetësisë me 15 për qind.”, tha deputeti i LSDM-së, Nenad Kociç.
 
VMRO: Punësimet, ryshfet parazgjedhor 
 
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së opozitare sipas të cilës mbi 2200 vende pune brenda një muaji në sektorin publik po hapen nga qeveria e Kovaçevskit, me shpresën se kështu do të motivojnë anëtarësimin e tyre dhe do të zbusin humbjen që i pret në Zgjedhjet Parlamentare. 
 
“Këtë ryshfet të bërë nga Kovaçevski, qytetarët do ta paguajnë me miliona euro për pagat e njerëzve partiak të BDI-së dhe LSDM-së. Gjysma e këtyre punësimeve, pra 1117 persona, janë në Ministrinë e Shëndetësisë, ku skandali është më i madh, nuk zgjidhet sipas njohurive, përvojës apo cilësisë, por sipas etnisë së tyre. Çelësi etnik do të vendosë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.”, kanë reaguar nga VMRO-DPMNE.
 
Pak ditë më parë, Qeveria vendosi që 1.117 personave në institucionet publike shëndetësore t’ua shndërrojë kontratat në vepër në vendime me kohë të pacaktuar.
 
FITIM KRYEZIU