Botë

Zubin Potok, persona të dyshuar shtien me armë ndaj policisë

30.12.2023 15:43

Disa persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri ndaj policisë kufitare në qytetin verior të Kosovës, Zubin Potok...

Disa persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri ndaj policisë kufitare në qytetin verior të Kosovës, Zubin Potok, dhe si pasojë njëri nga të dyshuarit, serb i Kosovës, është arrestuar, njoftoi Policia e Kosovës.
 
Policia tha se nuk ka të lënduar nga këmbimi i zjarrit mes të dyshuarve dhe oficerëve policorë në fshatin Bube të Zubin Potokut, komunë e banuar me shumicë serbe, në veri të Kosovës.
 
Të dyshuarit, sipas njoftimit, i shpërfillën urdhrat e policisë për t’u ndalur për kontroll dhe gjuajtën me armë zjarri ndaj oficerëve.
 
“Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur veten dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë”, njoftoi Policia e Kosovës.
 
Policia e identifikoi të dyshuarin si serbi i Kosovës nga Zubin Potoku.
 
Ata dyshohet se po kontrabandonin dele nga Serbia në Kosovë.
 
I dyshuari, 42 vjeç, është dërguar në paraburgim ku do të mbahet për 48 orë, sipas njoftimit, dhe përballet tani me akuza për sulm ndaj personit zyrtar dhe për kontrabandë me mallra.