Botë

Shqipëri, arrest shtëpie për Berishën

30.12.2023 16:02

Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për masën arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha...

Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për masën arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai e priti në banesë vendimin që parashikon edhe ndalimin e komunikimit me persona jashtë banesës dhe mbikëqyrje policore.
 
“Për një deputet që komunikimin e ka pjesë të detyrës duhej të kishte marrë lejen e kuvendit. Asnjëherë arresti i shtëpisë nuk shoqërohet me mbikëqyrje policore.”, tha avokati i Berishës Genc Gjokutaj.
 
Nga kjo e shtunë, Sali Berisha duhet të qëndrojë brenda 4 mureve të banesës së tij, i vënë në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Avokatët nuk e thanë nëse Berisha do e pranojë këtë masë, duke paralajmëruar se do ta ankimojnë në Gjykatën e Apelit.
 
“S’është pyetje do ta zbatojë apo jo ai ndodhet në banesë do ndjekim rrugën e ankimit sipas afateve.”, tha Gjokutaj.
 
Djali i ish-kryeministrit Shkëlzen Berisha shkroi se arrestimi i të atit është kartolina e vitit të ri për kryeministrin Rama.
 
Por kreu i qeverisë i pyetur për këtë vendim në konferencën e fundvitit refuzoi ta quante triumf.
 
“Kurrë është fitore e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti. Kurrë. Partitë fitojnë zgjedhje për të çuar para vendin dhe jo organizata që luftojnë për të dënuar kundërshtarët”, tha kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Ndërkohë Zyrtarë të Rithemelimit thanë se me këto akte, Edi Rama vetëm sa po afron fundin e tij në pushtet.
 
LULJETA NDOKA