Maqedoni
Viti i ri 2024, qytetarët kryeisht në shtëpi për fundvit
31.12.2023 13:44
Edhe sivjet ndërrimin e motmoteve qytetarët e vendit e presin në bazë të mundësive...

Edhe sivjet ndërrimin e motmoteve qytetarët e vendit e presin në bazë të mundësive, disa në lokale ku janë organizuar ahengje, ndërsa të tjerët në shtëpi. Shumica thonë se megjithë dëshirën nuk kanë mundësi që t’i lejojnë vetes një pritje të vitit të ri me tërë familjen në ndonjërin nga restorantet ku organizohen ahengjet për fundvit.
“Me familjen në shtëpi”...
“Me familje. Më kanë ardh motrat prej Zvicre”...
“Në shtëpi do ta pres fundin e vitit, mendoj që edhe më shumë janë ngritur çmimet për festa”...
“Me më të afërmit, është më lirë dhe më mirë”...
“Në shtëpi, me mish”...
“Në Vienë do ta pres vitin e ri se është shumë mirë atje”...
“Në shtëpi ose me shokë në shesh do ta pres vitin e ri, vetëm bredhi në shesh nuk me pelqen.”, u shprehën qytetarët për TVM2.
Pronarët e lokaleve: Interesimi për rezervime ka rënë ndjeshëm
Këtë vit interesimi i qytetarëve për rezervime në lokale është më i dobët, ndoshta nga fakti se janë rritur çmimet në përgjithësi thotë Jeton Sinani, pronar i një lokali në Çarshinë e vjetër të Shkupit.
“Zakonisht varet prej programit, çfarë programi kemi por s’besoj që më shumë se 20-30 euro mund të kushtojë, për ditën po flasim. Organizim për vit të ri kemi vetëm ditën se pritjen e vitit të ri mbramjen me vite nuk e festojmë për shkak se njrëzit kohën e fundit po dojnë me prit në shtëpi në ambient shtëpiak e mandej fillojmë me të 1,2 e të tretin me prit jashtë nëpër lokale ose restorante në ambiente të jashtme…. Për dallim nga viti i kaluar sivjet është pak më i dobët interesimi, mirëpo ne jemi OK në atë pjesë por në përgjithësi interesimi është më i dobët, ndoshta janë çmimet, shtrejtimet e produkteve, çmimet për një pritje të vitit të ri se normal ka dallim prej vjet.”, u shpreh për TVM2 afaristi Jeton Sinani.
Tregtarët ankohen për rënie të shitjes, qytetarët ankohen për çmimet e larta
Edhe pse janë festat e fundvitit tregëtarët ankohen se nuk kanë shitje sa duhet.
“Ka ngapak ka, por nuk kanë para populli”.
“Kanë dëshirë të përgaditen po me cka nuk kanë të holla”.
“Çmimet mundem me t’i tregu edhe me fotografi se janë njësoj, nuk kam shtrejtuar asgjë, nuk ka njerëz”.
“Nuk është sa duhet me pasur një mesatare është.”, u shprehën tregtarët për TVM2.
Qytetarët thonë se nuk mund t’ia lejojnë vetes një sofër të begatshme për fundvit për shkak të standardit të ulët jetësor.
“Po shtrejt është sidomos për dikë që nuk ka shumë të ardhura”...
“Shtrejt janë”...
“Për standardin tonë duhet të jetë 1 mijë euro rroga”...
“Pardje kam ardh prej Gjermanie dhe të them se janë më shtrejtë se në Gjermani nuk mund të më besoni. Në gjermani mandarinat janë nji euro këtu 80 denarë, afër nji euro e gjysëm.”, u shprehën qytetarët për TVM2.
Qytetarët shpresojnë se viti 2024 do të jetë më i mirë se vitin që po e lëmë pas. Dëshirat e tyre kryesore janë të kenë shëndet të mirë dhe përmirësimi të standardit jetësorë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
