Maqedoni

“Ora e planetit Tokë”, të shtunën shkyçja e dritave në Maqedoni

26.03.2015 15:37

Për të gjashtën herë me radhë, Maqedonia do të jetë pjesë e shënimit të “Orës së planetitit Tokë”...

Aksioni më i madh vullnetar do të mbahet të shtunën në mbrëmje me fillim prej orës  20 e 30, ku në mënyrë simbolike do të shkyçen dritat e më shumë lokaleve dhe objekteve të institucioneve përreth sheshit “Maqedonia”,  por edhe në 60 lokacione të tjera të vendit. 
 
“Shkupjanët të shtunën në mbrëmje do të jenë dëshmitarë të një spektakli dhe performance të përkryer me drita. Në errësirë të plotë për një orë do të mbeten  “Porta Maqedonia”, “Ura e gurit”, kalaja e Shkupit, objekti i Teatrit Kombëtar, Muzeu i Luftës Maqedonase, Muzeu Arkeologjik, Agjencia për Komunikime Elektronike, si dhe ura “Syri””- deklaroi organizatori i manifestimit, Gjorgi Sellkov.
 
Gjatë “Orës së planetit Tokë”, në sheshin e kryeqytetit me qirinj të ndezur do të formohet numri 60 +, që do të thotë kursim 60 minutësh të resurseve energjetike dhe mbrojte nga ndryshimet klimatike. Manifestimin e mbështesin edhe Ministria e Ekologjisë dhe Kryqi i Kuq.
 
“Ne e mbështesim këtë manifestim dhe do të jemi prezent edhe të shtunën me të vetmin qëllim, përmes shembullit tonë dhe me aksione dhe reaksione të tilla të tregojmë se mundemi së bashku të përballemi me ndryshimet klimatike”- tha Teodora Obradoviq-Gërnçarovska nga Ministria e Ekologjisë. 
 
Qytetarët e anketuar janë të mendimit se duhet bërë më shumë gjatë tërë vitit për mbrojtje dhe shpëtim të planetit. 
 
“Ky manifestim është vërtet pozitiv. Ne kemi nevojë për manifestime të tilla, që do të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shfrytëzimin e burimeve  ripërtëritëse”- tha një qytetar.
 
“Nuk është e mjaftueshme kjo, duhet të jemi të përgjegjshëm që mos të harxhojmë shumë energji elektrike”- tha një qytetar.
 
Ky manifestim vite me radhë shënohet në më shumë se 160 shtete dhe në mbi 7000 qytete në botë. 
 
REXHEP QAMILI